Bota

Putin: Ukraina të tërhiqet nga Donbasi ose do ta marrim me forcë

Gazeta Si – “Rusia do ta marrë Donbasin, ushtarakisht apo ndryshe”. Kështu deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, në një intervistë për “India Today” përpara takimit të tij me kryeministrin indian, Narendra Modi në Indi.

“Gjithçka varet nga kjo. Ose i çlirojmë këto territore me forcën e armëve. Ose trupat ukrainase tërhiqen nga këto territore dhe ndalojnë së luftuari atje”, tha Putin.

Për Putin, Donald Trump po përpiqet sinqerisht të gjejë një zgjidhje konsensuale për paqen në Ukrainë, por shtoi se kjo është e vështirë. Theksoi edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara duhet që të përfshihen për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por jo të ndërhyjnë.

“Arritja e një konsensusi midis palëve në konflikt nuk është një detyrë e lehtë. Por Presidenti Trump po përpiqet vërtet sinqerisht ta arrijë këtë, jam i sigurt për këtë”, tha Putin.

Ai theksoi se Rusia u përpoq të ndërtonte marrëdhënie midis  Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut dhe Ukrainës, por Kievi nuk i njohu ato. Sipas tij, Kievi refuzoi të tërhiqte trupat e tij nga Donetsku dhe Luhansku pas referendumit, duke preferuar të luftonte.

“Ne u përpoqëm të ndërtonim marrëdhënie midis pjesës tjetër të Ukrainës dhe këtyre republikave. Pastaj, kur kuptuam se ishte e pamundur, se ato thjesht po shkatërroheshin, u detyruam t’i njihnim”, tha Putin.

Udhëheqësi rus theksoi se bisedimet zgjatën kaq shumë për shkak se ishte e nevojshme që të shqyrtohej çdo pikë e propozimeve të paqes. Putin u shpreh se plani i SHBA, i paraqitur fillimisht më 28 pika, tashmë i reduktuar në 19, është i bazuar në marrëveshjet e arritura me homologun amerikan në verë në samitin e Alaskës.

“Gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës është një detyrë e vështirë. Në kontekstin e diskutimeve mbi Ukrainën, është një detyrë e vështirë të sigurohet që palët të arrijnë një konsensus”, shtoi ai.

I pyetur për G8, Putin tha: “Nuk dua të kthehem në G8”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë