Nga Gazeta “Si” -Samuel Beckett, shumë kohë përpara se të bëhej një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX, kaloi një periudhë të gjatë trazirash të brendshme që e çuan drejt psikoanalizës.
Në vitin 1934, 27-vjeçari i panjohur ende, i shkruante kushëririt të tij se kishte filluar analizën tri herë në javë dhe se kjo përbënte të vetmen gjë që i interesonte.
Për një figurë që më vonë do të bëhej sinonim i rezervës dhe anonimatit, përfshirja e tij e thellë emocionale në këtë proces duket e pazakontë.
Por Beckett ishte në një gjendje të rënduar psikologjike pas vdekjes së babait të tij, me të cilin kishte një lidhje të veçantë dhe të pazëvendësueshme.
Ai vuante nga ankthi, depresioni, çrregullime fizike dhe makthe që i lehtësoheshin vetëm kur vëllai flinte pranë tij.
Ndër vite, Beckett ishte luhatur mes jetës intelektuale të Parisit dhe atmosferës më të ngurtë të Dublinit. Në Paris ai kishte lulëzuar pranë rrethit të James Joyce-it, duke shkruar ese, kritika dhe poezi. Por kthimi në Irlandë për të dhënë mësim në Trinity College shënoi fillimin e një rënieje të thellë. Ai humbi motivimin, prodhimtaria e tij ra, dhe izolimi krijues e çoi drejt depresionit.
Edhe kthimi i mëvonshëm në Paris nuk solli rigjetjen e lumturisë, pasi marrëdhënia me familjen Joyce u ftoh dhe dorëshkrimet e tij të reja nuk gjetën botues.
Në këtë sfond dështimesh, konflikteT me nënën e tij dhe shpërbërjen fizike e emocionale, psikanaliza me Wilfred R. Bion u bë një spirancë shpëtimi.
Wilfred R. Bion në atë kohë ishte ende në fillim të karrierës, por më vonë do të bëhej një nga figurat madhore të psikanalizës, krahas Melanie Klein, Winnicott dhe Lacan.
Beckett e takonte tri herë në javë për rreth dy vjet dhe, megjithëse dokumentet e detajuara të seancave janë humbur, shënimet e Bion-it u zhdukën gjatë bombardimeve të Londrës, ndërsa shënimet personale të Beckett-it nuk janë gjetur.

Gjurmët e kësaj periudhe shfaqen qartë në letrat, shkrimet dhe transformimin e tij të brendshëm. Ndërhyrja e Bion-it nuk ishte vetëm terapeutike; ajo ndikoi në mënyrë të pashlyeshme në mënyrën se si Beckett do të perceptonte mendimin, botën e brendshme dhe të pathënën.
Megjithëse nuk mund të rindërtojmë seancat konkrete, dihet se Bion ishte një nga të parët që përdori metoda analitike të orientuara drejt përballjes me boshllëkun, pasigurinë dhe fragmentimin e brendshëm , tema që më vonë do të bëhen shtyllë e universit dramatik të Beckett-it.
Analiza ndihmoi shkrimtarin të përballej me ankthin ekzistencial, marrëdhënien e ndërlikuar me nënën dhe të krijonte një distancë të shëndetshme nga dhimbja e humbjes së babait.
Pikërisht në këtë periudhë ai nisi të ndërtojë një vizion artistik që më vonë do të kulmonte te “Waiting for Godot”, “Moloy”, “Malone Dies” dhe “The Unnamable”.
Ajo që është e rëndësishme në këtë histori nuk është vetëm fakti se Beckett bëri analizë, por se ai e përjetoi procesin si një akt krijues, një zhytje në thellësi që e ndihmoi të shihte limitet e mendimit dhe gjuhës, dhe në të njëjtën kohë t’i sfidonte ato.
Për Beckett-in, analizat nuk ishin për të “rregulluar” veten në kuptimin e zakonshëm; ishte një përballje me asgjënë, me të pathënën, me hapësirat e heshtjes dhe të zbrazëtisë së brendshme, të cilat më pas i bëri elementë të gjuhës së tij artistike.
Nga ana tjetër, edhe për Bion-in, puna me Beckett-in ishte formuese. Ai po zhvillonte idetë e tij mbi natyrën e mendimit, funksionin e analistit si një enë që mban dhe riformëson emocionet e pacientit, thelbi i së vërtetës së pastër.

Shumë nga këto ide, që më vone do të bëheshin të famshme në psikanalizë, duket se u ushqyen nga dinamika me një pacient si Beckett, të cilin Bion e shihte si një njeri me aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në përvojat e errëta të brendshme.
Megjithëse shkrimet e Beckett-it pas analizës nuk janë kurrë eksplicitisht autobiografike, gjuha e tyre e thyer, e zhveshur, e zhytur në heshtje, pasqyron në mënyrë artistike atë që ai kishte përjetuar në divanin e Bion-it.
Ai dukej të kishte gjetur një liri të re: lirinë për të pranuar mungesën e kuptimit, për të eksploruar kufijtë e komunikimit, për të pranuar se jeta shpesh është e pakuptueshme dhe se pikërisht aty qëndron e vërteta e saj.
Në fund, analiza e Beckett-it me Bion mbetet një kapitull i mjegulluar dokumentarisht, por thelbësor për evoluimin e të dyve.
Një takim mes një shkrimtari që kërkonte të kuptonte veten dhe një analisti që po mësonte si të kuptonte mendjen njerëzore.
Edhe në mungesë të shënimeve të detajuara, ndikimi i këtij procesi është i dukshëm: Beckett u transformua nga një i ri i thyer dhe i humbur në një krijues unik, ndërsa Bion mori prej tij intuita që do të ushqenin teoritë e tij më novatore.
Ky takim mes artit dhe psikanalizës mbetet një shembull i rrallë se si proceset e brendshme të shërimit dhe eksplorimit qëndrojnë në bazë të krijimtarisë më radikale dhe të mendimit më të guximshëm.
Burimi: “The New Yorker”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



