Banka Qendrore Europiane (BQE) ka refuzuar të veprojë si garant për një pagesë prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën, duke i dhënë një goditje planit të Bashkimit Europian për të financuar rindërtimin e Ukrainës, mbështetur nga asetet e sanksionuara ruse.
BQE arriti në përfundimin se propozimi i Komisionit Europian shkel mandatet e saj, sipas disa zyrtarëve, duke shtuar vështirësitë për Brukselin në mobilizimin e kësaj huaje gjigante kundrejt aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë, të ngrira në Euroclear, depozitari belg i titujve.
Ky zhvillim ndodh ndërkohë që BE-ja është nën presion për të financuar Ukrainën për dy vitet e ardhshme, pasi Kievi po përballet me mungesë likuiditeti për shkak të sulmit të ri ushtarak rus dhe një iniciative paqësore nga Shtetet e Bashkuara
Sipas planit të Komisionit Europian, vendet e BE-së do të ofronin garanci shtetërore për të siguruar që rreziku i kthimit të huasë prej 140 miliardë eurosh ndaj Ukrainës të ndahej.
Megjithatë, zyrtarët e komisionit thanë se vendet nuk do të mund të mobilizonin shpejt likuiditetin në rast emergjence, gjë që mund të krijonte presion në tregje. Ata pyetën BQE-në nëse mund të vepronte si huadhënës i fundit për Euroclear Bank, një degë e huadhënies e institucionit belg, për të shmangur një krizë likuiditeti. Sipas katër personave të njohur me diskutimet, zyrtarët e BQE-së thanë se kjo ishte e pamundur.
Analiza e brendshme e BQE-së arriti në përfundimin se propozimi i Komisionit ishte ekuivalent me dhënien direkte të fondeve qeverive, pasi banka qendrore do të mbulonte obligimet financiare të shteteve anëtare. Kjo praktikë, e quajtur “financim monetar” nga ekonomistët, është e ndaluar nga traktatet e BE-së, pasi ka treguar se çon në inflacion të lartë dhe humbje besueshmërie të bankës qendrore.
BQE tha se: “Një propozim i tillë nuk është në konsideratë, pasi do të shkelte ligjin e traktatit të BE-së që ndalon financimin monetar.”
Në përgjigje të qëndrimit të BQE-së, Komisioni ka filluar të punojë mbi propozime alternative që do të siguronte likuiditet të përkohshëm për të mbështetur huanë prej 140 miliardë eurosh, sipas dy zyrtarëve të njohur me çështjen
Një zëdhënës i Komisionit tha se ata kanë qenë “në kontakt të ngushtë me BQE-në” që nga tetori 2022, dhe banka qendrore ka “marrë pjesë aktive në të gjitha diskutimet” lidhur me propozimin e huasë.
“Sigurimi i likuiditetit të nevojshëm për mundësitë e kthimit të aseteve tek Banka Qendrore e Rusisë është pjesë e rëndësishme e një huaje të mundshme për reparacione,” shtoi zëdhënësi
“Kjo është një kërkesë për të siguruar që BE-ja, shtetet anëtare dhe entitetet private të jenë gjithmonë në gjendje të përmbushin obligimet e tyre ndërkombëtare. Reflektimet mbi mënyrën për të siguruar këtë likuiditet vazhdojnë.”
Euroclear ka refuzuar të komentojë.
BE-ja ka ngrirë asete ruse me vlerë rreth 210 miliardë euro që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në 2022. Belgjika ka kundërshtuar huanë për Kievin me arsyetimin se në rast se asetet ruse do të zhbllokoheshin dhe Moska do të mund t’i rikthente, Euroclear nuk do të ishte në gjendje të paguante menjëherë.
Kryeministri belg Bart De Wever ka thënë se plani i BE-së është “thelbësisht i gabuar” dhe ka kërkuar që 26 shtetet e tjera anëtare të nënshkruajnë “garanci ligjërisht të detyrueshme, të pakushtëzuara, të parevokueshme, sipas kërkesës, të përbashkëta dhe të ndërsjella” për të ndarë rrezikun e kthimit të huasë.
Ai dëshiron që një angazhim i tillë të ekzistojë para samitit të liderëve të BE-së më 18 dhjetor, ku pritet të vendoset për mënyrën e vazhdimit të financimit të Kievit. De Wever argumenton se garancitë e shteteve anëtare dhe një formë e mbështetjes janë të nevojshme në rast se sanksionet e BE-së, që mbajnë asetet ruse të ngrira, hiqen papritur.
Sanksionet duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj me vendim unanim. Disa vende, përfshirë Hungarinë, kanë kundërshtuar rinovimin.
Për më tepër, përpjekjet e SHBA-së për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe propozime alternative nga administrata Trump për përdorimin e aseteve të ngrira të Moskës, kanë ngritur shqetësime në të gjithë BE-në. Belgjika është veçanërisht e shqetësuar se një marrëveshje paqësore mes Uashingtonit dhe Moskës mund të anulojë sanksionet e BE-së dhe ta detyrojë Euroclear të paguajë menjëherë Rusinë.
Sipas propozimit të Komisionit, Ukraina do të ishte e detyruar të kthejë paratë vetëm nëse Rusia pranon të paguajë reparacione ndaj Kievit./FinancialTIMES
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



