Ekonomitë që u shkëputën nga komunizmi mbi tridhjetë vjet më parë rrezikojnë të hyjnë në një spirale rënëse, nëse votuesit e moshuar dhe drejtuesit politikë pengojnë reformat që nevojiten për të zbutur ndikimin negativ që po sjell plakja e popullsisë, paralajmëron BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim).
Plakja e popullsisë po kthehet në një barrë për rritjen ekonomike dhe në një shtysë për rritjen e borxheve publike në mbarë botën, por veçanërisht në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, të cilat deri në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 drejtoheshin nga regjime komuniste.
Në raportin e publikuar të martën, BERZH vlerëson se rritja e moshës së daljes në pension, nxitja e emigracionit dhe përdorimi më i gjerë i teknologjive të reja për të rritur produktivitetin mund të zbusin pjesën më të madhe të efektit negativ që sjell tkurrja e popullsisë aktive.
Por, sipas bankës, mbështetja politike për këto reforma mund të jetë e dobët në vendet ku votuesit e moshuar dominojnë politikën – jo vetëm sepse përbëjnë një pjesë të madhe të elektoratit, por edhe sepse ata janë më të prirur të marrin pjesë në zgjedhje sesa të rinjtë.
“Ka rrezik të krijohet një spirale ku shoqëria plaket, më të moshuarit votojnë më shumë, drejtuesit politikë janë vetë më të moshuar, e për pasojë fokusi politik zhvendoset drejt preferencave të tyre. Kjo e vështirëson rritjen e moshës së pensionit dhe e ul gatishmërinë për të investuar në arsim, që është baza e rritjes së së ardhmes,” tha Beata Javorcik, kryeekonomiste e BERZH-it.
Ky rrezik nuk kufizohet vetëm te vendet ish-komuniste. Në disa vende të tjera si Britania e Madhe po diskutohet që mosha e votimit të ulet në 16 vjeç, si një mënyrë për të “balancuar paragjykimet e votimit të lidhura me moshën”, thotë BERZH.
Shumica e vendeve ish-komuniste kanë norma lindshmërie më të ulëta se 2.1 fëmijë për grua, niveli që mban popullsinë të qëndrueshme. Në disa vende të Europës Qendrore, kjo normë lëviz midis 1.3 dhe 1.6 fëmijë.
Normat e ulëta të lindshmërisë kanë ulur numrin e personave në moshë pune, nga të cilët varen pensionet e një numri gjithnjë e më të madh pensionistësh. Me më pak punëtorë, rritja mesatare e PBB-së për frymë pritet të bjerë me rreth 0.4 pikë përqindje deri në vitin 2050, llogarit BERZH.
Këto vlerësime përputhen me ato të OECD-së për 38 vendet kryesisht të pasura të saj. Por ndryshe nga shumica e vendeve të OECD-së, vendet ish-komuniste do ta prekin këtë ngadalësim të rritjes në një nivel shumë më të ulët të të ardhurave.
“Ata po plaken pa arritur të bëhen të pasur,” u shpreh Javorcik.
Sipas BERZH-it, qeveritë mund të shmangin këtë ngadalësim duke zbatuar reforma që rrisin emigracionin, zgjasin jetën aktive në punë, reformojnë pensionet dhe nxisin teknologjitë e reja për të rritur produktivitetin. Por asnjë prej këtyre masave nuk mjafton e vetme.
Megjithatë, sfida më e madhe është zbatimi i reformave. Politikat në shoqëritë e moshuara shpesh pasqyrojnë preferencat e votuesve të moshuar, të cilët priren të kërkojnë daljen më të shpejtë në pension, pensione më të larta, dhe janë mosbesues ndaj imigracionit dhe teknologjive të reja.
BERZH vlerëson se shumë vende ish-komuniste do të duhet të tërheqin çdo vit flukse emigracioni më të mëdha se 1% e popullsisë së tyre, vetëm që të ruajnë nivelin aktual të fuqisë punëtore.
“Nivelet e nevojshme do të ishin shumë më të larta se ato historike dhe shumë më të larta se ato që do të konsideroheshin të pranueshme politikisht,” tha Javorcik.
Teknologjitë e reja – përfshirë inteligjencën artificiale – mund të rrisin produktivitetin e punëtorëve ekzistues dhe të kompensojnë pjesërisht mungesën e fuqisë punëtore, por jo aq sa të zbehin plotësisht ndikimin demografik negativ.
Sipas BERZH-it, nxitja e pjesëmarrjes së votuesve të rinj, të cilët priren të mbështesin më shumë rrezikun dhe inovacionin, si dhe rritja e investimeve në arsim, janë thelbësore për të shmangur spiralen rënëse.
“Vetëm ata që kanë guximin të ndërmarrin reforma sot dhe të përfshijnë votuesit e rinj në debat do të sigurojnë mirëqenie të qëndrueshme për brezat e ardhshëm,” përfundoi Javorcik./WSJ
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



