Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri hungarez Viktor Orban do të udhëtojë drejt Moskës, ku pritet të zhvillojë një takim zyrtar me presidentin rus Vladimir Putin. Lajmi u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Sipas deklaratave, në qendër të bisedimeve do të jenë furnizimet me naftë dhe gaz për Hungarinë, si dhe përpjekjet diplomatike për paqen në Ukrainë.
Orban, i cili ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën pavarësisht luftës në vendin fqinj, tha në një video në Facebook se vizita ka një qëllim të thjeshtë:
“Të siguroj furnizimin e energjisë për dimrin dhe për vitin e ardhshëm.”
Sa i takon çështjes së Ukrainës, kreu i qeverisë hungareze theksoi se nuk mund të shmanget diskutimi për paqen.
Hungaria mbetet një nga vendet më të varura nga energjia ruse në BE. Vetëm këtë vit, vendi ka importuar 8.5 milionë ton naftë bruto dhe më shumë se 7 miliardë metra kub gaz natyror nga Rusia, sipas Ministrisë së Jashtme hungareze.
Pavarësisht trysnisë së Brukselit për të shkëputur varësinë energjetike nga Moska, Budapesti vijon të mbajë kursin e tij.
Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara i dhanë Hungarisë një përjashtim nga sanksionet për përdorimin e naftës dhe gazit rus, pas kërkesës së Orban gjatë një takimi miqësor me presidentin Donald Trump në Uashington.
Hungaria ka firmosur gjithashtu një marrëveshje të re me SHBA për bashkëpunim në energjinë bërthamore. Sipas dokumentit, vendi do të blejë karburant dhe teknologji amerikane për ruajtjen e karburantit të shpenzuar në centralin bërthamor “Paks I”, të ndërtuar nga Rusia.
Ndërkohë, kompania ruse Rosatom po ndërton zgjerimin e centralit, një projekt i nisur në vitin 2014, por i vonuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Kryeministri hungarez ka deklaruar se dëshiron të ringjallë idenë e organizimit të një samiti në Budapest mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, për të diskutuar paqen në Ukrainë.
Ndryshe nga shumica e udhëheqësve të BE-së dhe NATO-s, Orban vijon të mbajë marrëdhënie të ngrohta me Rusinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



