Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 15% e shqiptarëve që janë rikthyer nga emigracioni synojnë të largohen sërish. Ky është një nga konkluzionet kryesore të raportit më të fundit të BERZH-it, i cili e konsideron këtë dukuri si një dobësi të politikave stimuluese nga ana e qeverive.
Sipas raportit, dëshira për riemigrim është më e përhapur në vendet e Ballkanit dhe Europës Lindore, ku emigrantët e kthyer përballen shpesh me papunësi, vështirësi në riintegrimin profesional dhe mungesë mundësish të përshtatshme në tregun e punës. Aftësitë dhe përvojat që ata kanë fituar jashtë vendit shpesh nuk gjejnë përdorim të duhur në ekonominë vendase, duke i shtyrë të kërkojnë mundësi të reja në vende të tjera.

Anketa e zhvilluar nga institucioni tregon gjithashtu se 30% e shqiptarëve kanë emigruar të paktën një herë dhe se rreth 22 deri në 23% e tyre kanë arsim të lartë. Këto të dhëna e rendisin Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të ikjes së trurit, menjëherë pas Bosnjë-Hercegovinës, Palestinës dhe Taxhikistanit. Në rajonet e Europës Lindore dhe Juglindore, individët me arsim të lartë rezultojnë më të prirur të largohen, kryesisht për arsye karriere ose studimesh.
BERZH nënvizon se këto prirje e bëjnë të domosdoshme krijimin e politikave që mbështesin riintegrimin e të rikthyerve, duke shfrytëzuar potencialin e tyre profesional, rrjetet ndërkombëtare dhe prirjen për sipërmarrje.
Raporti paralajmëron se ikja e trurit ka pasoja të ndjeshme për ekonominë, inovacionin dhe sistemet shëndetësore, duke zvogëluar kapacitetet e brendshme të zhvillimit. Megjithatë, BERZH thekson se diaspora e kualifikuar mund të bëhet një burim i rëndësishëm kontributi për vendin, nëse zbatohen politika që lehtësojnë bashkëpunimin dhe rikthimin e ekspertizës së fituar jashtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



