Nga Gazeta Si – Skiatorja shqiptare arrin podiumin e pestë në karrierë, të dytin rradhazi këtë sezon dhe të dytin rradhazi në Gurgl.
Ashtu si një vit më parë, gara e Austrisë u dominua nga të njëjtat skiatore, Shiffin, Colturi, Rast.
Superylli amerikan fitoi garën e dytë brenda 8 ditësh në Gurgl, duke realizuar një tjetër paraqitje brilante për shtimin e rekordeve të pabesueshme në Kupën e Botës në 103 fitore në total dhe 66 në Slalom.
Ashtu si javën e kaluar në Levi, Shiffrin ishte në një kategori më vete me skitë e shkurtra, duke triumfuar para Lara Colturi-t (ALB/Blizzard, +1.23 sek) dhe Camille Rast (SUI/Head, +1.41 sek), në një përsëritje të podiumit të Gurgl të vitit të kaluar.

Shiffrin kryesoi para Colturi-t me 0.38 sekonda pas lëshimit të parë, pavarësisht se e përshkroi dëborën si “të vështirë për t’u menaxhuar”, dhe më pas shpërtheu në lëshimin e dytë, duke rritur avantazhin në çdo “checkpoint” dhe duke fituar të dy lëshimet për javën e dytë radhazi.
Ajo që po e sfidon Shiffrin në fillim të këtij sezoni është 19-vjeçarja Colturi, vajza e kampiones olimpike të Super G në vitin 2002, Daniela Ceccarelli (ITA).
Colturi, e cila garon për Shqipërinë pavarësisht rrënjëve të saj italiane, arriti podiumin e saj të 5 në Kupën e Botës dhe regjistroi podiume të njëpasnjëshme për herë të parë në karrierë, pasi përfundoi e dyta pas Shiffrin në Levi javën e kaluar.
Në lëshimin e dytë, Colturi mbeti pas kohës kryesuese të Rast, por një mbyllje e fuqishme e ngjiti në krye dhe i tregoi vetes se mund të konkurrojë në çdo pistë.

“Për fat të keq, kushtet ishin vërtet të vështira” tha Colturi.
“Përshtypja e parë pas inspektimit fillestar ishte: ‘Ndoshta nuk është dita ime. Veçanërisht në dëborë të butë, zakonisht nuk kam ndjesi të mira. Por unë befasova edhe veten, ndaj jam vërtet krenare për atë që kam bërë sot. Po i kujtoj vetes se mund t’ia dal edhe kur kushtet nuk janë më të mirat dhe nuk më pëlqejnë. Tani po kuptoj se po përmirësohem çdo lëshim, çdo garë, çdo stërvitje, dhe jam shumë e emocionuar për këtë.” e mbylli skiatorja kuqezi
Edhe pse Colturi e shtyu Rast në vendin e tretë, kampionia në fuqi e Botës në Slalom u shpreh e lumtur që arriti podiumin, pasi dy garat e saj të para këtë sezon në Sölden dhe Levi i kishin sjellë vetëm dy vende të 15-ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


