Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka mohuar çdo përfshirje në një “safari njerëzore” gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990, kur thuhet se të huaj të pasur paguanin për të gjuajtur banorët e qytetit të rrethuar të Sarajevës me snajperë.
The Times shkruan se Vuçiç, reagoi ndaj pretendimeve të gazetarit investigativ Domagoj Margetiç, i cili tha se presidenti serb kishte bashkëpunuar me turistët që paguanin për të vrarë në vitet 1992 dhe 1993, kur ai ishte vullnetar në një milici serbo-boshnjake që kishte marrë nën kontroll një varrezë hebraike mbi Sarajevë. “Besoj se ai ishte i përfshirë në safarin e Sarajevës,” shprehej Margetiç.
Gazetari kroat i ka dërguar akuzat e tij gjykatësve në Milano, të cilët kanë hapur një hetim mbi raportet se grupe të huajsh paguanin deri në 88 mijë paund për të marrë pjesë me luftëtarët serbo-boshnjakë në kodrat rreth Sarajevës gjatë rrethimit 1992-96, ku mbetën të vrarë mbi 11 mijë e 500 persona. Thuhet se sulmuesit vinin nga Europa dhe Rusia dhe paguanin shtesë për të vrarë fëmijë.
Presidenti serb hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur pretendimet gënjeshtra që synojnë ta paraqesin si një përbindësh dhe vrasës gjakftohtë.
Duke reaguar ndaj akuzave, Vuçiç para gazetarëve në një konferencë ekonomike rajonale Britani e Madhe–Ballkani Perëndimor, e mbajtur në Beograd, u shpreh se “Nuk kam mbajtur kurrë në jetën time një pushkë snajperi. Nuk kam pasur as armën për të cilën flisni, sepse ajo është stativ kamere. Nuk kam vrarë kurrë askënd, nuk kam plagosur askënd dhe nuk kam bërë asgjë të ngjashme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



