Gazeta Si – Sali Berisha, përveç se mohoi të ketë dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve në 21 janar 2011, ka deklaruar se audio-përgjimi që dyshohet se dëshmon bisedat mes drejtuesve të Gardës, është i falsifikuar.
Pas daljes nga SPAK, ku u pyet për 2 orë, Berisha u shpreh: “Të falsifikosh një zë, është gjëja më e thjeshtë. Janë imituar në autenticitet të plotë, jo zëra të njerëzve të thjeshtë, por gjerë të presidentë të SHBA, të Barack Obamës. Një urdhër i dalë pas 13 vitesh. Si mund të besoj unë një audio të dorëzuar pas 12 vitesh, është zero, është njësoj si shiriti i Metës…”.
Më herët, në media është publikuar një audiopërgjim ende i paverifikuar, si provë e re e dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen disa komunikime në radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, mes tyre dhe të ish-kreut të saj, Ndrea Prendi.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika që të tregojnë mënyrën se si është siguruar audio-regjistrimi, si edhe pajisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi, pasi kaseta e dorëzuar në SPAK është kopje.
Nga gazetarët, Berisha u pyet edhe për një çështje që ende nuk ka marrë shpjegim, “pse shefi i Gardës, Ndrea Prendi u shfaq me sy të nxirë” një ditë pas vrasjes së 4 protestuesve.
“Çfarë ka ndodhur e shpjegon vetë secili. Ndrea Prendi ka qenë në krye të detyrës gjatë gjithë ditës dhe në vlerësimin tim ai ka bërë të pamundur për të bërë detyrën ligjore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



