Bota

Rusia sulm masiv gjatë natës në Ukrainë, disa të vdekur

Nga Gazeta ‘Si’- Kievi është goditur sërish nga një valë sulmesh me dronë dhe raketa gjatë natës, duke shkaktuar viktima, zjarre dhe dëmtime të rënda në infrastrukturë.

Zyrtarët ukrainas konfirmuan se tre persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën 26 të tjerë janë plagosur, shkruan BBC.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko, i përshkroi sulmet si “masive”, ndërsa shpërthime të mëdha goditën ndërtesa banimi në disa zona të qytetit. Një pjesë e infrastrukturës energjetike u dëmtua, duke lënë pa ngrohje lagje të tëra në verilindje të kryeqytetit.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, njoftoi se sulmet prekën “pothuajse çdo rreth” të qytetit.

Përmes Telegramit, ai paralajmëroi qytetarët të kërkonin strehim vetëm një minutë pas mesnatës, duke shkruar: “Është zhurmë në Kiev”.

Shërbimet e emergjencës raportuan se mbeturinat e dronëve dhe raketave shkaktuan zjarre dhe dëme në disa ndërtesa të larta banimi, një spital, një shkollë dhe një ndërtesë administrative.

Ndërkohë më shumë se 40 persona u shpëtuan, përfshirë 14 vetëm nga një ndërtesë në lagjen Desnyanskyi, ku humbi jetën një person. Një tjetër u gjet i gjallë nën rrënoja.

Nëntë të plagosur po trajtohen në spital, ndërsa një burrë raportohet në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.

Probleme me energjinë dhe ngrohjen

Rrjeti i ngrohjes së kryeqytetit është dëmtuar, duke rritur rrezikun e ndërprerjes së energjisë dhe furnizimit me ujë, bëri të ditur Klitschko.

Forcat ajrore paralajmëruan se dronët dhe bombat e drejtuara goditën gjithashtu rajone të tjera të vendit, përfshirë Sumy.

Sulmet e fundit vijnë më pak se një javë pas një ofensivë tjetër ruse që shkaktoi gjashtë viktima dhe dëmtime në infrastrukturë energjetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë