Gazeta Si – Dy ditë pas atentatit mafioz në Rinas, policia shqiptare ka kërkuar informacione nga Spanja për lëvizjet e viktimës Gilmando Dani dhe të plagosurit, Muçi Shaljani.
Dy miqtë sapo kishin mbërritur me avionr nga Spanja dhe në momentin që kanë dalë nga terminali i aeroportit me automjetin e tyre tip “Benz”, janë qëlluar me breshëri plumbash nga të paktën 3 persona të maskuar.
Deri më tani, ende nuk ka një përgjigjie nga autoritetet spanjolle, ndërsa në polici janë shoqëruar 15 persona, njerëz të afërm të viktimës dhe të plagosurit.
Sipas burimeve, Dani dhe Shaljani sapo ishin kthyer nga Spanja ku kishin qëndruar për 4 ditë në zonën e Barcelonës.
Dyshohet se autorët kanë pasur informacion të detajuar nga një person që mund të ketë udhëtuar me ta që nga Spanja.
Krimi i rëndë zbuloi edhe një skandal tjetër, sesi një personazh si Muçi Shaljani, i cili nuk plotësonte asnjë certifikatë sigurie sipas ligjit, ishte punësuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ndërkohë që gjatë gjithë kohës shoqëronte krahun e djathtë të Emiljano Shullazit, një emër i njohur i botës së krimit.
Sipas ekspertizës, viktima Gilmando Dani ka marrë 20 plumba, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje. Nga ana tjetër, shoku i tij Muçi Shaljani ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Një ditë më parë, DSIK, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjësit e AMP, bëri me dije se Shaljani nuk rezulton të ketë certifikatë sigurie.
Ai ishte punësuar prej shtatorit të këtij viti, kur AMP drejtohej nga Artiol Saliasi dhe ka një kontratë 3-mujore deri në mes të dhjetorit.
Drejtori aktual i AMP-së, Eduart Merkaj ka pezulluar zinxhirin komandues të Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati.
Policia ka zhvilluar disa kontrolle në Tiranë, Nikël dhe Fushë Krujë, por deri më tani nuk është gjetur asgjë që mund të ndihmojë për hetimin dhe zbardhjen e atentatit që tronditi vendin për mënyrën sesi persona të armatosur hapën zjarr në zonën më të frekuentuar rreth orës 14:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



