Nga Gazeta Si- Një nënë shqiptare me tre fëmijë, është bërë gruaja e parë që ekstradohet nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë për të vuajtur një dënim me burg pas vendimit të gjyqtarit në Britani.
Mediat britanike shkruajnë se Lirie Delishi, 25 vjeçe, u kap duke u përpjekur të përdorte një pasaportë të falsifikuar rumune për të shkuar nga Tirana në Romë në vitin 2019.
Daily Mail shkruan se prokurorët në Shqipëri janë përpjekur ta ekstradojnë Delishin për të vuajtur një dënim me burg prej 4 muajsh në vend.
Tani, gjyqtari britanik John Zani ka urdhëruar që të kthehet në atdhe, i cili tha se interesi i Britanisë për të mos u konsideruar “strehë e sigurt për kriminelët” ishte më i rëndësishëm se pretendimet e saj për shkelje të së drejtës familjare, sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në seancën e ekstradimit në Londër, Delishi argumentoi se ndarja nga bashkëshorti i saj Edmond dhe tre fëmijët, mes tyre një i porsalindur, do të kishte pasoja të rënda për familjen. Edmondi, i cili sipas “The Telegraph” drejton dy biznese në Britani, një kompani ndërtimi dhe një lavazh makinash, dëshmoi se mund të detyrohej të mbyllte njërën prej tyre për t’u kujdesur për fëmijët.
Megjithatë, gjyqtari Zani theksoi rëndësinë e respektimit të detyrimeve ndërkombëtare të ekstradimit dhe deklaroi se “vetëm vështirësitë familjare nuk mjaftojnë për të penguar një vendim të tillë”.
Aktualisht, Lirie Delishi ndodhet ende në Britani në pritje të apelimit të vendimit, por pritet që dënimin ta vuajë në burgun e grave të Pojskës, në Pogradec.
Delishi kishte lënë Shqipërinë menjëherë pas studimeve për t’u bashkuar me partnerin e saj në Britani. Ajo tha se familja e saj “është shumë e turpëruar” nga kjo ngjarje, duke shtuar: “Nuk vij nga një familje që ka pasur ndonjëherë probleme me ligjin”.
Zani tha se është e kuptueshme që do të ketë vështirësi të shkaktuara për të pandehurën, partnerin e saj dhe fëmijët e tyre të vegjël por, kjo në vetvete nuk është e mjaftueshme për të parandaluar dhënien e një urdhri për ekstradim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



