Gazeta Si – Donald Trump kaloi “orë të tëra” në shtëpinë e Jeffrey Epstein me një grua që ai e përshkroi si viktimë të trafikimit të tij seksual dhe “dinte për vajzat” e financierit të ndjerë pedofil.
Vetë Epstein e shkroi këtë në një grup të ri emailesh me Ghislaine Maxwell dhe autorin Michael Wolff, të publikuara nga demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të zbuluara nga CNN dhe gazeta “New York Times”.
Në korrespondencat që datojnë nga 15 vitet e fundit, Epstein shkruan për “kohën që Trump kalonte me një grua” që, sipas demokratëve, është një nga viktimat e trafikut të tij seksual.
Në një tjetër email, Epstein pretendon se “Trump e dinte për vajzat”, duke iu referuar dukshëm pretendimeve të presidentit se e kishte përjashtuar Epstein-in nga klubi Mar-a-Lago “për shkak të sjelljes ndaj vajzave të reja”.
Email-et u publikuan të mërkurën, pasi komiteti kishte kërkuar me urdhër gjykate dokumentet nga pasuria e Epstein.
Sipas CNN, Trump nuk ka dërguar apo marrë asnjë nga këto mesazhe dhe nuk akuzohet për asnjë vepër penale në lidhje me Epstein apo Maxwell.
Në një email të datës 2 prill 2011, Epstein i shkruante Maxwell-it: “Dua të kuptosh që qeni që s’ka lehur është Trump… (emri i fshirë) ka kaluar orë të tëra në shtëpinë time me të, por nuk është përmendur kurrë. Jam 75% aty”.
Maxwell i përgjigjet: “E kam menduar edhe unë këtë…” Theksohet se emri i gruas së përmendur është fshehur për arsye privatësie.
Në një komunikim tjetër, nga janari 2019, shtatë muaj para vdekjes së Epstein, ai i shkruan Wolff për pretendimet e Trump se e kishte përjashtuar nga Mar-a-Lago: “Trump tha që më kërkoi të dorëzoja anëtarësimin, por s’kam qenë kurrë anëtar. Sigurisht që ai e dinte për vajzat, madje i kërkoi Ghislaine-s të ndalonte.”
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më parë se Trump e kishte ndaluar Epstein-in nga klubi për “sjellje të papërshtatshme”, ndërsa Maxwell ka mohuar që të ketë rekrutuar vajza nga Mar-a-Lago.
Në një tjetër email të zbuluar nga komiteti, datë 15 dhjetor 2015, Wolff i shkruante Epstein: “Kam dëgjuar që CNN planifikon t’i bëjë Trump-it një pyetje për marrëdhënien me ty sonte në debat”.
Epstein i përgjigjet: “Nëse do ta ndihmojmë të formulojë një përgjigje, çfarë mendon se duhet të jetë ajo?”
Wolff kthehet: “Mendoj se duhet ta lejosh të varë veten me fjalët e veta… nëse gënjen, mund ta përdorësh kundër tij; nëse fiton, mund ta ‘shpëtosh’ dhe të krijosh një borxh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



