Gazeta Si – Publikohen pamjet tronditëse të atentatit mafioz që ndodhi një ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani, ndërsa u plagos Muçi Shaljani, agjent i AMP.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:20 të datës 11 nëntor 2025, pak pasi viktima e i plagosuri ishin kthyer nga Spanja.
Sipas videos së publikuar nga Gazetasi.al, persona të maskuar kanë qëlluar fillimisht me breshëri kallashnikovi drejt automjetit ku ndodhej viktima.
Pamjet tregojnë se mjeti është sulmuar në tre momente të ndryshme, ndërsa autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjajnë me ato të policisë, e kanë ndalur makinën në rrugë.
Pasi mjeti i viktimave ka ndaluar në rrethrrotullim, njëri nga autorët zbret nga makina e tij, rimbush armën dhe qëllon sërish në drejtim të Danit, i cili ishte ulur në sediljen e pasagjerit.
Më pas ata janë arratisur me shpejtësi për të shkuar drejt fshatit Halil të Krujës. Atje kanë djegur makinën dhe kanë humbur gjurmët.
Targat e kësaj makine rezultojnë të vjedhura në Greqi në vitin e kaluar. Makina nuk është përcaktuar nëse është e vjedhur apo jo, pasi për shkak të djegies së mjetit nuk është rikuperuar numri i shasisë.
Sipas burimeve, autorët kanë pritur me makinën tip “Toyota” në rrethrrotullimin pranë aeroportit ekzaktësisht për 10 minuta të ndaluar.
E gjithë zona që në momentin e ardhjes së makinës nga Nikla deri në Rinas dhe më pas largimit në të njëjtin drejtim ka qenë pa energji elektrike.
Kjo për hetuesit ka dyshime të forta pasi nga mungesa e energjisë asnjë kamera nuk e ka fiksuar lëvizjet e mjetit të autorit.
Mustafa Sheqeri, i cili ishte punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vijon të mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, ndërsa Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



