Analize

Skandal është edhe heshtja e Ministrisë së Brendshme për ‘Sheqerin’ e bandave

Atentati pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Mustafa Sheqeri, alias Muçi Shaljani, ka nxjerrë në dritë një skandal të shumëfishtë që prek themelet e institucioneve të rendit

Atentati pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Mustafa Sheqeri, alias Muçi Shaljani, ka nxjerrë në dritë një skandal të shumëfishtë që prek themelet e institucioneve të rendit. Sheqeri rezulton të jetë punonjës me kontratë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) — strukturës që duhet të hetojë abuzimet e vetë policisë — dhe njëkohësisht person që shfaqet në shoqërinë e një figure të njohur të botës së krimit.

Një agjent me dy jetë

Sipas raportimeve të mediave (Newsbomb, Ora News, Shqiptarja.com etj), Mustafa Sheqeri është punësuar në AMP në shtator 2025, me kontratë të përkohshme si “agjent operativ”. Ai ka marrë certifikatën e sigurisë që i mundëson akses në informacion të klasifikuar, ndonëse nuk ka kaluar procesin standard të verifikimit, siç kërkon ligji për punonjësit e këtij institucioni.
Burime mediatike citojnë se rekrutimi i tij është bërë “me ndërhyrje nga lart” dhe se në dosjen e tij mungojnë vlerësimet paraprake të integritetit.

Më 11 nëntor 2025, Muçi Shaljani ishte në automjetin që u qëllua me breshëri në rrethrrotullimin e Rinasit, duke drejtuar makinën ku pasagjer ishte Gilmando Dani — një emër i njohur për hetimet ndaj grupeve kriminale të Tiranës. Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Sheqeri ndodhet në gjendje kritike.

Dyshime për pasuri dhe lidhje të fshehura

Një tjetër element që ka ndezur alarmet është fakti se, sipas mediave  Shaljani rezulton pronari i hotelit “Ramel” në qendër të Tiranës, një biznes që funksionon prej vitit 2018. Pyetjet janë të shumta: si një punonjës shtetëror në institucion delikat arrin të zotërojë një aktivitet hotelier privat me vlera të konsiderueshme? A janë bërë verifikimet e nevojshme për burimin e të ardhurave dhe deklarimin e pasurisë?

Reagimi institucional: heshtje dhe shmangie?!

Pas publikimit të detajeve, AMP njoftoi pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës operative dhe nisjen e një hetimi të brendshëm për procedurat e rekrutimit. Por Ministria e Brendshme, të cilës i nënshtrohet ky institucion, nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike deri më tani.

Kjo heshtje nuk është maturi por burim kritikash dhe dyshimesh sepse  emërimi I Mustafa Sheqerit është një alarm I fortë që tregon për mënyrën si depërton krimi brenda institucioneve që duhet ta luftojnë atë. Mungesa e reagimit nga Ministria e bënë të arsyeshëm  dyshime që emërime të tilla  kanë  mbulim politik apo ndërhyrje të strukturave të larta .

Pse hesht Ministria e Brendshme?

Pas gjithë informacionit tashmë publik — nga atentati te profili i dyfishtë i Sheqerit, nga pasuritë private te rekrutimi pa filtrime — opinioni publik pret përgjigje zyrtare se:Kush e firmosi emërimin e tij në AMP? A do të heton firmosësit?A janë bërë kontrollet e sigurisë siç parashikon ligji? Kush mban përgjegjësi për faktin që një agjent i AMP-së udhëton me persona të përfshirë në aktivitete kriminale?

Mungesa e reagimit zyrtar vetëm sa e përforcon bindjen se ky rast nuk është një “gabim administrativ”, por simptomë e një sëmundjeje më të thellë: infiltrimit të strukturave të krimit brenda vetë institucioneve të kontrollit.

Në një vend ku transparenca e institucioneve duhet të jetë mburojë ndaj korrupsionit, heshtja e Ministrisë së Brendshme bëhet vetë pjesë e problemit. Transparenca ka emra me përgjegjësi individuale dhe  veprime konkrete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë