Rend dhe Ligj

Atentati në Rinas, agjenti i AMP në gjendje të rëndë për jetën. Autorët dyshohet se kishin informator

Gazeta Si – Mustafa Sheqeri, i njohur si Muçi Shaljani, i cili mbeti i plagosur në atentatin e Rinasit, ndodhet ende në gjendje kritike për jetën, pasi u qëllua me 10 plumba, mes tyre 2 në kokë.

Sipas burimeve, punonjësi i AMP-së, është i intubuar dhe po trajtohet në repartin e reanimacionit nën kujdesin e mjekëve, të cilët po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur në jetë.

Sa i takon hetimeve, policia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë qenë informatorë të autorëve.

Sipas burimeve, policia ka heton një person të dyshuar si informator të grupit të vrasësve të Gilmando Danit.

Bëhet fjalë për një person me syze, me mjekër dhe trup mesatar, i cili ndodhej brenda ambjenteve të aeroportit dhe ka kryer lëvizje të dyshimta.

Nga kamerat e sigurisë rezulton se, sapo ky shtetas është futur brenda, ka parë në monitor avionët që do të zbresnin në ato minuta.

Sipas verifikimeve, avioni i linjës Barcelonë-Tiranë ishte vonuar me rreth 15 minuta dhe në ato çaste ai është drejtuar drejt tualeteve të aeroportit, për t’u kthyer më pas në vendin ku dalin pasagjerët.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në Rinas, rezulton se sapo kanë mbërritur Dani dhe Shaljani, të cilët kishin me vete nga një çantë, personi i dyshuar ka nisur menjëherë telefonatat.

Ky person i ka ndjekur nga pas dy shëenjestrat, deri sa ata kanë hipur në makinë, ku sipas informacioneve, qëllimi i tij ishte të tregonte se ku do të ulej Gilmando Dani.

Sapo dy personat kanë hipur në makinë, i dyshuari është larguar me shpejtësi në këmbë në krahun e kundërt të lëvizjes.

Referuar burimeve nga grupi i hetimit, informatori i dyshuar është afruar pranë zonës së Rinasit rreth orës 13:00, ku ka zbritur nga një makinë tip “Fiat” që u parkua pranë parkimit të aeroportit.

Hetuesit po verifikojnë të gjitha makinat e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë tek porta dalëse e aeroportit. Gjithsesi deri më tani nuk ka emra konkretë si të dyshuar.

Dani dhe Shaljani u qëlluan me armë zjarri sapo ishin kthyer nga Barcelona. Gilmando Dani ishte i njohur për drejtësinë për shkak të lidhjeve të tij me Emiljano Shullazin.

Në tetor 2024, Dani ishte liruar nga burgu, pasi kishte shlyer dënimin prej 12 vitesh për akuzat e grupit të strukturuar kriminal, gjobëvënies dhe kanosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë