Nga Gazeta ‘Si’- Deputetët e opozitës kanë reaguarpas atentatit të ndodhur në Rinas ku mbeti i vrarë Glimando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani.
Ervin Salianji shkruan se sipas tij bandat kriminale kanë marrë prej kohësh kontrollin e territorit.
Ai shkruan se vrasja e sotme, në pikën më të rëndësishme të vendit, në aeroportin e Rinasit, aty ku duhet të ishte siguria maksimale, tregon sipas tij paaftësinë dhe dorëzimin e qeverisë përballë krimit.
“Në Shqipërinë e Ramës nuk mund të ecësh me monopatina, por me makina të blinduara e me armë po. Frika dhe kërcënimi bandave që vendosin kush jeton e kush eliminohet, është vetëm njëra anë e medaljes kriminale. Ana tjeter është terrori që çdokush, qe kalon aty, është në punë të vet, apo përcjell familjen a të afermit ne kete rast ne Rinas, mund te ishte goditur nga plumbat që kanë lënë shenjë nëpër godina”, shkruan ai.
Sipas tij, qeveria është faktuar shpesh si ndihmëse e krimit, policia si një dekor propagande, dhe qytetari shpesh shënjestër e pafajshme.
Askush nuk është i mbrojtur, institucionet janë të kapura, dhe mafia ka shtetin e vet!”, thekson ai.
Edhe deputeti Klevis Balliu ka reaguar duke shkruar se ironikisht ngjarja ndodhi pasi ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi në komision së Shqipëria është një vend i sigurt.
“Vetëm 10 minuta pas mbylljes së Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku opozita i kërkonte llogari ministres së Brendshme dhe kupolës së Policisë së Shtetit për mungesën e sigurisë në vend, ministrja, me përbuzje, deklaroi se Shqipëria është vendi më i sigurt dhe me një rritje të vazhdueshme të sigurisë.
Por menjëherë më pas ndodh një atentat mafioz në aeroportin e Rinasit, zonën që supozohet të jetë më e sigurta në Shqipëri.
Ky fakt tregon qartë se qeveria ka në plan të fshehë të vërtetën, sepse është bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë me ata që kryejnë këto atentate, duke rrezikuar jetën e të gjithë shqiptarëve”, shkruan ai.
Ndërsa deputeti Tedi Blushi nga Partia e Lirisë shkruan se krimi godet kur të dojë, ku të dojë dhe si të dojë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm.
“Kur armët e krimit flasin edhe pranë një institucioni të sigurisë së lartë kombëtare, aty ku masat parandaluese duhet të jenë më të larta, nuk bëhet më fjalë për një ngjarje të zakonshme kriminale, por për një alarm kombëtar.
Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i filozofisë së Qeverisë “pa krim nuk ka zhvillim”, që në vend që ta luftojë krimin, e ka bërë pjesë të pandarë të pushtetit, ku edhe drejtësia është bërë palë me 251 drejtues dhe anëtarë bandash që i kanë lënë të lirë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



