Gazeta Si – Gilmando Dani, 47 vjeç, mbeti i vrarë mesditën e kësaj të marte në një atentat me armë zjarri shumë pranë aeroportit të Rinasit.
Bashkë me të, mbeti i plagosur edhe shoferi i makinës me të cilën udhëtonte, i identifikuar si Muçi Shaljani (Sheqeri), 40 vjeç. Sipas burimeve të Gazetasi.al, Shaljani është punonjës i AMP, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Policia njoftoi se Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën.
Gilmando Dani, i cili më herët i kishte shpëtuar dhe dy atentateve, njihet si person me precedentë të mëparshëm kriminalë, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Si u realizua atentati?
Dani dhe Shaljani kishin ikur në Barcelonë më datë 7 nëntor dhe mbërritën në Rinas sot, 11 nëntor, në orën 13:55.
Kanë marrë mjetin që e kishin parkuar në parkimin e Rinasit dhe janë nisur drejt destinacionit të tyre. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas, rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin e Rinasit, pak metra larg aeroportit, një zonë ku ka një trafik të dendur dhe qarkullimi i mjeteve është shumë i ngadaltë.
Një rrethanë që duket se ka ndihmuar vrasësit, për të shënjestruar objektivin e tyre. Autorët kanë qenë me një mjet “Toyota” me targa greke dhe e kanë pritur para aeroportit.
Në momentin që Dani dhe miku i tij janë larguar nga Rinasi, autorët i kanë ndjekur dhe makinat kanë ecur paralel me njëra-tjetrën.
Kur janë afruar pranë rrethit të Rinasit, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në anën e pasagjerit ku ndodhej Dani.

Autorët e donin danin të vdekur me çdo kusht dhe u siguruan që të vdiste. Pasi qëlluan drejt makinës, një nga autorët, me kapele dhe i maskuar, del nga makina dhe i afrohet Benzit duke qëlluar disa herë me pistoletë.
Vetëm pak minuta pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi drejt Fushë-Krujës. Ata kanë ndaluar në fshatin Halil, ku kanë djegur automjetin që përdorën në atentat, në një zonë të pyllëzuar, pranë përroit të Halilit.
E shkura e errët e Gilmando Danit
Më herët, ai është skeduar disa herë nga policia dhe njihet si pjesëtar i grupit të Shullazit, i cili aktualisht është në burg, i dënuar për grup të strukturuar kriminal dhe gjobëvënie.
Në dhjetor të vitit 2021, Shullazi dhe 4 pjesëtarë të grupit të tij, mes tyre Gilmando Dani, u dënuan me 55 vite burg në total për gjobëvënie nga Gjykata e Apelit.
Dani mori personalisht 12 vite heqje lirie. Ata u shpallën fajtorë nga dy shkallët e gjyqësorit, se me anë të kërcënimit i morën biznesmenit Y. B. vlera monetare dhe pronësinë e hotel Vollgës në Durrës, si dhe për kërcënimin e shtetasi J. Z. për një garazh në Tiranë. Mësohet se ai ishte liruar nga burgu më 6 tetor të vitit 2024
Nga dinamika dhe e shkuara e këtij personazhi, dyshimet e para janë që Dani të ketë qenë objektiv i këtij atentati.
Gjithsesi hetimet e policisë pritet të tregojnë më shumë rreth dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe shkaqet e atentatit.
Makina, në drejtim të së cilës u qëllua, nuk ka qenë e blinduar, por xhamat ishin të veshur me material, që thyhet me vështirësi.
Shaljani dhe Gilmando Dani ishin kthyer ditën e sotme nga jashtë shtetit. Ata kishin ikur nga vendi më datë 7 nëntor dhe automjetin e kishin parkuar në aeroportin e Rinasit.
Pas të shtënave, makina e atentatorëve është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë Krujës, ku pas disa minutash është gjetur e djegur nga policia. Në reagimin zyrtar të Policisë së Krujës është bërë me dije se brenda në automjetin e djegur në fshatin Halil, janë gjetur 4 armë zjarri, të dyshuara se janë përdorur në atentatin e Rinasit ditën e sotme.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm 100 metra larg aeroportit të Rinasit, ku ndodhet dhe Komisariati i Policisë Kufitare, në një zonë me trafik të lartë dhe shumë të populluar, sidomos nga turistët e huaj.
Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/ëve.
“Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç. Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore”, informon policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


