Nga Gazeta Si- “Kur ia thashë prindërve idenë time për prodhimin e vajit të ullirit, më panë me skepticizëm. Isha vetëm 24 vjeç, i porsadiplomuar në fakultetin e dytë për Teknologji ushqimore dhe gjithçka kisha për idenë e biznesit tim, ishte mbështetja financiare nga familja”.
Kështu nis të tregojë rrugëtimin e tij 3-vjeçar në prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër Arbër Satka, që sot me markën e tij po bëhet i njohur deri në Dubai, pas eksperiencave të shkëlqyera në tregun evropian, në Zvicër e Dubai.
“Kemi bashkëpunim me mbi 600 fermerë në Shqipëri, produktet janë të një cilësie shumë të lartë. Ne kemi një skemë të mirëfilltë, që fermeri të marrë përfitimin që meriton, por dhe produktet të jenë të një cilësie shumë të lartë”, thotë Arbri.
Edhe pse shumë i ri në fushën e sipërmarrjes, djali nga Divjaka vlerëson shumë bashkëpunëtorët e tij, fermerët që i quan pjesa më e rëndësishme e ciklit të prodhimit të vajit të ullirit.

Biznesi i tij është i fokusuar te fermerët që kanë varietetet autoktone të ullirit që zhvillohen vetëm në Shqipëri dhe nuk i gjen askund tjetër në botë dhe që kanë shije të veçantë.
“Jemi gjithmonë pranë për t’i ndihmuar dhe këshilluar, kemi ngritur një protokoll për kultivimin e ullirit dhe i garantojmë fermerëve blerjen e produktit në fund, nëse ai respekton protokollin në mënyrë që produkti përfundimtar të jetë me standardin e lartë dhe i eksportueshëm për të gjitha tregjet evropiane”, thotë Arbri.
Më tej, sipërmarrësi i ri tregon se “Ndërhyrja me fondet nga Challenge fund, EU4Innovation, ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve depozituese”.
EU4Innovation është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida). Projekti zbatohet nga GIZ Shqipëri si organizatë kryesuese në zbatim, dhe Ambasada Suedeze në Tiranë.
Më tej Arbri shpjegon se “vaji i ullirit është produkt shumë delikat që kërkon një depozitim shumë të mirë gjatë vitit, nuk mjafton që të jetë i grumbulluar në depozita me material inox por ai duhet të rrijë në ambient pa dritë, temperaturë të kontrolluar, në mungesë të oksigjenit, të ruajë nivelin e polifenoleve, pasi është produkt që prodhohet 1 herë në vit, ndaj kushtet e ruajtjes dhe depozitimit kanë rëndësi shumë të madhe”.

Përmes Challenge Fund, i cili zbatohet në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, është bërë e mundur rritja e kapaciteteve të depozitimit të vajit të ullirit përmes një linje moderne, që synon ruajtjen e standardeve të tij të pacënueshme. Arbri tregon se tashmë mundësohet depozitimi i 200 mijë litrave vaj ulliri në depozita, për t’u paketuar dhe eksportuar më pas sipas kërkesave të tregut të huaj.
Dy raste të tjera suksesi të mbështetura fianciarisht nga Challenge Fund, ishin Sugo.al prodhon salca domatesh natyrale për sektorin HoReCa, pa aditivë, duke ofruar shijen dhe aromën e produkteve të freskëta, ndërkohë që redukton mbetjet ushqimore përmes zgjidhjeve të gjelbra të përpunimit, si dhe Rinora Handmade me prodhimin e sfungjerit ekologjik, në fshatin Kuç, të bashkisë Dimal.
Në takimin me fermerët e rinj ishin dhe ambasadori i Suedisë në Tiranë Niklas Ström si dhe Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Heikkinen deklaroi gjatë takimeve se këto vizita janë gjithmonë frymëzuese pasi tregojnë se fondet e BE-së kanë një ndikim të vërtetë në terren, duke i shndërruar idetë e sipërmarrësve në biznese të lulëzuara dhe vende të reja pune.
“Përmes këtij programi, ne po forcojmë ekosistemin e inovacionit, ofrojmë lloje të ndryshme financimi për bizneset, dhe inkurajojmë bashkëpunimin midis universiteteve, bizneseve dhe qeverisë.
Shqipëria është plot me sipërmarrës dhe ka një frymë të vërtetë sipërmarrëse.
BE-ja do të vazhdojë të mbështesë inovatorët e Shqipërisë. Ne duhet të bashkojmë forcat për të ndërtuar një ekonomi inovacioni dhe rritjeje të qëndrueshme që sjell vende të reja pune dhe më të mira për qytetarët e Shqipërisë”, tha përfaqësuesja e Bashkimit Evropian Ritva Heikkinen.
Gjatë vizitës ambasadori suedez, vlerësoi punën e bërë nga “Rinora handmade” e cila kultivon sfungjerë natyralë “loofah” në një fermë prej 1.6 hektarësh me synimin për t’u bërë kompania e parë evropiane me një model prodhimi me cikël të mbyllur, nga kultivimi deri tek shitjet ndërkombëtare. Ai gjithashtu theksoi se përmirësimi i ekosistemit të startup-eve është një fushe e rëndësishme për integrimin e vendit në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



