Politike

Noka akuza në komision: Jemi i vetmi vend ku drejtorët e policisë i caktojnë kartelet

Nga Gazeta ‘Si’- Në komisionin për Çështjet e Brendshme, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ngriti akuza të rënda për Policinë e Shtetit dhe lidhjeve të supozuara me kartelet kriminale.

Jemi i vetmi vend ku drejtorin dhe nëndrejtorin e Policisë së Shtetit nuk i ka caktuar ligji; jemi i vetmi vend që drejtorët e Policisë i përcaktojnë kartelet. Ilir Proda është emërtesë e Suel Çelës. Neritan Nallbati, nëndrejtori i krimit të organizuar, është emërtesë e kartelit Troplini”, tha Noka.

Ai shtoi se flitet për pagesa mujore që zyrtarët marrin nga kartelet për t’u shërbyer:

“Po të dëgjoni, flitet për pagesa mujore që këta zotërinj marrin nga kartelet për t’u shërbyer. Nuk e kam për ju, zonja ministre; me policinë nuk keni punë, ju ua ka kufizuar kryeministri punën, merruni me gjendjen civile, po flas për Policinë e Shtetit”, tha Noka drejtuar Albana Koçiut.

Ai gjithashtu kritikoi Koçiun për mungesën e vëmendjes ndaj krimeve zgjedhore gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se ajo nuk ka folur për këtë çështje gjatë raportimit.

“Kartelet vendosin për jetën e qytetarëve, ata caktojnë kush do jetojë dhe kush do vritet. Tani unë do doja që zonja ministre të ishte pak e shqetësuar edhe për krimet zgjedhore, sepse kemi kaluar edhe një vit zgjedhor, por siç e dëgjuat, zonja ministre nuk belbësoi asnjë gjë për këtë.”, tha Noka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë