Politike

Ndalimi i monopatinave/ Koçiu: 1 mijë aksidente të raportuara këtë vit! Do sjellim rregullat e reja

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu thotë se monopatinat janë rrezik për të gjithë qytetarët.

Në seancën dëgjimore me disa nga deputetët e opozitës, Koçiu tha se monopatinat kanë qenë shkaktare të 1 mijë aksidenteve, të dhëna këto që janë të raportuara në Policinë e Shtetit.

“Për monopatinat elektrike, janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit. Monopatinat janë rrezik për të gjithë qytetarët, ndërhymë duke i pezulluar dhe duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë bazë ligjore ku të qartësohet mënyra se si këto mjete duhet të lëvizin dhe qarkullojnë, duke patur parasysh standardet e sigurisë qe duhet të respektohen”, tha Koçiu në komision.  

Më tej, Koçiu tha se së shpejti në komisione do të sjellin rregullat e reja për përdorimin e tyre që më pas do kalojnë edhe në Kuvend për tu futur në fuqi.

“Monopatinat u pezulluan për shkak të aksidenteve dhe rrezikshmërisë që paraqesin. Mjetet e tilla janë ende të parregulluara në legjislacion. Disa vende i kanë pezulluar deri në hartimin e një kuadri të plotë ligjor. Ne po punojmë për rregullimet përkatëse dhe shumë shpejt do t’i paraqesim rregullat në komisione dhe në Kuvend, në mënyrë që përdorimi i tyre të jetë i normuar”, tha Koçiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë