Politike

‘Shqipëria, vend i sigurt’/ Deputetët e PD replikë Koçiut: Siguria në vend është drithëruese!

Nga Gazeta ‘Si’-  Në një seancë dëgjimore me deputetët e opozitës, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u përgjigj lidhur me gjendjen e sigurisë publike në vend.

Koçiu theksoi se sipas saj Shqipëria është një vend i sigurt, duke u bazuar në raportet ndërkombëtare dhe statistikat e brendshme.

“Vendi ynë ka mirëpritur 12 milionë turistë dhe qytetarë të huaj që hapin biznese ose blejnë prona. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza dhe siguria është rritur ndjeshëm,” tha ajo.

Sipas saj ka një rënie të vrasjeve me dashje, nga mesatarisht dy vrasje në javë në vitin e kaluar, në një vrasje çdo dy javë këtë vit.

Ajo vuri në dukje progresin e Policisë dhe SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprave penale. Sipas saj, norma e zbulimit të veprave penale është 99%, ndërsa përmendi gjithashtu uljen e krimeve të rënda dhe vrasjeve me dashje, duke theksuar se numri i vrasjeve ka rënë nga 41 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 29 këtë vit.

Koçiu nënvizoi edhe uljen e aksidenteve rrugore me 17% krahasuar me një vit më parë, duke përmendur se në vitin 2024 humbën jetën 155 persona, ndërsa këtë vit numri ka rënë ndjeshëm.

Megjithatë, deputetët e opozitës nuk ranë dakord me raportimin e saj.

Deputeti Klevis Balliu tha se situata e sigurisë në Shqipëri është sipas tij alarmante.

Ai renditi disa raste të ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend, duke nisur që nga rasti i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në detyrë dhe denoncoi rastet e armëmbajtjes pa leje.

“Policia e Shtetit në një situatë të tillë dhe Ministria e Brendshme do të duhet të ishte duke bërë aksione në lidhje me këto çështje dhe jo me monopatinat apo me ndërtimet pa leje”, tha ai.

Ai u shpreh se, “për sa kohë e shikoj Ministrinë e Brendshme të gjithën të angazhuar tek lufta me monopatinat, tregon që s’ka shumë punë, ndërkohë që duhet të kishte pasur ndonjë punë tjetër, në lidhje me këto kërkesa që kemi bërë ne”.

Ndërkohë, edhe deputeti i PD Flamur Noka e akuzoi Shqipërinë si një narkoshtet.

“Ne dëgjuam me shumë vëmendje ministren kur paraqiti ekspozenë e saj, sipas saj, të situatës së rendit. Është e qartë se për statistika, për propagandë, këta kanë ngritur në çdo ministri nga një drejtori që prodhon lajme fake.

Por realiteti për gjendjen e sigurisë në vend është drithërues. Zonja tha që në luftën kundër krimeve të rënda janë bërë përparime.

Po zonjë, nga banda kriminale tani janë institucionalizuar kartele dhe Shqipëria është i vetmi vend që konsiderohet narkoshtet në Europë dhe këtu duket qartë sa është kontributi i Policisë së Shteti në këtë vend. Kemi një narkopolici”, tha Noka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë