Nga Gazeta ‘Si’- Belgjika është përfshirë nga një krizë sigurie që ka tronditur vendin dhe Bashkimin Evropian.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë do të mblidhet me urgjencë këtë të enjte, 6 nëntor, pasi u konstatuan disa dronë misteriozë nëpër aeroporte që shkaktuan kaos në udhëtime dhe ngritën alarmin për një sulm të mundshëm hibrid.
Të martën në mbrëmje, 5 nëntor, aeroporti më i madh i vendit, ai i Brukselit, ndaloi për disa orë të gjitha fluturimet në ardhje dhe nisje, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve. Situata u përkeqësua edhe më tej mbi aeroportin e Lièges, një nyje e rëndësishme e transportit ajror të mallrave, duke shkaktuar vonesa, anulime dhe devijime masive.
Ndërkohë, në bazën ushtarake të Schaffen, afër qytetit flamand Diest, forcat e policisë dhe ushtrisë raportuan se panë katër dronë.

Këto incidente vijnë pas një fundjave me shfaqje të përsëritura dronësh mbi baza ushtarake, përfshirë Kleine-Brogel, pranë kufirit me Holandën, ku ndodhen avionët luftarakë F-16 të Belgjikës dhe, sipas mediave, armë bërthamore amerikane.
Ministri belg: Duket si një operacion i organizuar
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka deklaruar se incidentet “duken të koordinuara për të krijuar destabilitet”, duke shtuar se bëhet fjalë për dronë të mëdhenj që fluturojnë në formacion.
“Nuk është një rastësi, por më shumë si operacion i strukturuar”, deklaroi ai.
Autoritetet kanë dyshime që pas incidentit fshihet një shtet, “me shumë gjasë Rusia”.
Gazeta Le Soir raporton se këto incidente kanë çuar në thirrjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Përplasje diplomatike Belgjikë-Rusi
Tensionet mes Brukselit dhe Moskës janë rritur ndjeshëm javët e fundit.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e quajti ministrin belg të mbrojtjes “idiot”, pasi ky i fundit kishte deklaruar se NATO do ta “rrënonte Moskën” në rast të një sulmi bërthamor ndaj Brukselit.
Përplasja verbale erdhi pas vendimit të Belgjikës për të bllokuar planin e BE-së që parashikonte huadhënien e 140 miliardë eurove për Ukrainën, bazuar në asetet e ngrira ruse që ndodhen në Bruksel.
Bisedimet për këtë plan po vijojnë dhe pritet të mbyllen deri në fund të vitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



