Bota

Pas ‘armëpushimit’ me SHBA, Kina pezullon tarifën ndaj mallrave amerikane! 

Nga Gazeta ‘Si’- Kina do të pezullojë tarifat doganore hakmarrëse mbi importet amerikane pas takimit të javës së kaluar midis Donald Trump dhe Xi Jinping. Kjo përfshin heqjen e taksave mbi mallrat bujqësore, konfirmoi Pekini të mërkurën, por importet e sojës amerikane do të përballen ende me një tarifë doganore prej 13%.

Komisioni tarifor i Këshillit të Shtetit njoftoi se do të heqë detyrimet deri në 15% që kishte vendosur për disa mallra bujqësore amerikane nga 10 nëntori – duke ruajtur ndërkohë taksat prej 10% të nxitura nga tarifat doganore të presidentit Trump për “Ditën e Çlirimit”.

“Në përgjithësi, është një shenjë e mirë se të dyja palët po bëjnë përparim të shpejtë në vënien në fuqi të marrëveshjes”, tha Even Rogers Pay, drejtor në Trivium China me seli në Pekin.

“Kjo tregon se ata janë të një mendjeje dhe se marrëveshja ka të ngjarë të qëndrojë.”

Megjithatë, ulja e tarifave dogamore i lë blerësit kinezë të sojës amerikane përballë tarifave prej 13%, një kosto që tregtarët thanë se i bën dërgesat amerikane ende shumë të shtrenjta për blerësit komercialë krahasuar me alternativat braziliane.

“Nuk presim që me këtë ndryshim të kthehet ndonjë kërkesë nga Kina në tregun amerikan”, tha një tregtar në një kompani tregtare ndërkombëtare.

Pas takimit Xi-Trump, Shtëpia e Bardhë tha se Kina do të blinte të paktën 12 milionë ton metrikë soje amerikane në dy muajt e fundit të vitit 2025 dhe të paktën 25 milionë ton në secilin prej tre viteve të ardhshme. Megjithatë Pekini ende nuk i ka konfirmuar këto shifra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë