Nga Gazeta ‘Si’– Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë që vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE të vendosen për disa vite në një “periudhë prove”.
Kjo do të thotë se ato do të monitorohen nga afër për të verifikuar nëse respektojnë demokracinë, lirinë e medias dhe sundimin e ligjit. Në rast të shkeljeve të përsëritura, ato mund të humbasin përkohësisht ose madje përgjithmonë disa të drejta në BE.
Propozimi ka ardhur si “frymëzim” nga përvoja me Hungarinë (që u afrua me Rusinë pas anëtarësimit) dhe synon të shmangë situata të ngjashme me vendet që aspirojnë familjen europiane, si Ukraina, Moldavia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, është shprehur kështu për Financial Times:
“Nuk dua të mbetem në historinë e BE-së si Komisionerja që solli ‘kalin e Trojës’ që do të vepronte pas 5, 10 apo 15 vitesh. Po shqyrtojmë masa si periudha tranzitore, një lloj monitorimi dhe masa paraprake.
Raporti i zgjerimit që do të publikohet sot, 3 nëntor, vlerëson përparimin e vendeve kandidate, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Mali i Zi rezulton më i suksesshmi në zbatimin e reformave të nevojshme për t’u bërë anëtar i BE-së, shkruan Financial Times.
Megjithatë, liderët e vendeve anëtare në BE janë shumë më të kujdesshëm për pranimin e anëtarëve të rinj, ndryshe nga sa kuptohet nga deklaratat e tyre publike.
Kos theksoi se vendet kandidate duhet të kryejnë reforma rrënjësore brenda vendit për të qenë të gatshme për anëtarësim, ndërsa BE po përpiqet të rrisë integrimin gradual të tyre në programet evropiane para se të bëhen anëtare të plota.
“Ne kemi arritur të ndalojmë Rusinë në derën e përparme”, tha Kos, duke iu referuar përpjekjeve të Ukrainës teksa ndodhet në luftë apo mbështetjes së gjerë për anëtarësim në Moldavi.
Por ajo paralajmëroi se “nëse nuk vazhdohet me zgjerimin, frika ime më e madhe është se rusët do të hyjnë nga dera e pasme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



