Sport

Sinner e bën ‘sefte’ nën Kullën Eifel

Nga Gazeta Si – Jannik Sinner fitoi për herë të parë “Paris Masters”, pasi mundi në dy sete Felix Auger-Aliassime 6-4, 7-6 (7/4) në Finalen e të dielës.

Ky është trofeu i parë i 24-vjeçarit italian në Paris, dhe me eliminimin e hershëm të Carlos Alcaraz, Sinner u kthye sot në majën e “ATP Rankings” si numri 1.

Sinner qëndroi si numri 1 në Botë për 65 javë deri në humbjen e Finales së “US Open” ndaj Alcaraz, në Shtator.

Megjithëse mungoi për 3 muaj në fillim të këtij viti kalendarik, pas dy testeve pozitive për gjurmë të “clostebol”, Sinner fitoi 5 tituj — përfshi “Australian Open” dhe “Wimbledon”.

Fitorja e së dielës ishte titulli i parë “Masters 1000” që nga Shanghai, Tetorin e kaluar.

Për kanadezin Felix Auger-Aliassime, i renditur i 9, humbja në Finalen e kryeqytetit francez i mohoi një biletë automatike në “ATP Finals” që zhvillohen më vonë këtë muaj.

Megjithatë, performanca në Paris e ka ngjitur përpara italianit Lorenzo Musetti në garën për vendin e mbetur vakant drejt Torinos, duke e bërë favorit për pjesëmarrjen në turneun e fundit të sezonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë