Njerez

Shqipëria një nga vendet me më shumë ikje të mjekëve dhe infermierëve

Nga Gazeta Si- Shqipëria është mes 20 vendeve që kanë normat më të larta të emigrimit të mjekëve në vitin 2020/2021, sipas studimit të fundit të publikuar nga OECD.

“Vendet që kanë përjetuar rritjet më të mëdha në normat e emigrimit si për mjekët ashtu edhe për infermierët përfshijnë Afganistanin Shqipërinë, Kamerunin, Somalinë, Surinamin dhe Republikën Sllovake”, thuhet në studim.

Sipas studimit, 34.8 për qind e mjekëve dhe 38.3 për qind e infermierëve shqiptarë punojnë në vendet e OECD. Shifrat u rritën nga viti 2000 në vitin 2010. Nga 542 mjekë të ikur në vitin 2000, 10 vite më vonë kishte 2876 mjekë të larguar.

Ndërsa nga 1610 infermierë të ikur në 2000, 10 vite më pas kanë ikur 9743 infermierë.

Mungesa e fuqisë punëtore shëndetësore është bërë një sfidë kritike në të gjitha vendet e OECD-së, e nxitur nga plakja e popullsisë, rritja e nevojave për kujdes dhe kërkesa në rritje për shërbime mjekësore. Në përgjigje, shumë vende të OECD-së kanë përforcuar kapacitetin e tyre të trajnimit të personelit shëndetësor, por rekrutimi ndërkombëtar i mjekëve dhe infermierëve gjithashtu ka vazhduar të rritet.

Numri i përgjithshëm i mjekëve dhe infermierëve emigrantë në vendet e OECD-së është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, duke tejkaluar rritjen e përgjithshme të punësimit në këto profesione.

Rritjet më të mëdha në numrat absolutë të profesionistëve emigrantë u regjistruan në Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këto tre vende mbeten destinacionet kryesore për mjekët dhe infermierët e lindur dhe të trajnuar jashtë vendit.

Politikat e migracionit po evoluojnë për të lehtësuar rekrutimin ndërkombëtar në sektorin e shëndetësisë, por njohja dhe licencimi mbeten pengesa kryesore për integrimin në tregun e punës të profesionistëve të shëndetësisë emigrantë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë