Bota

Trump urdhëron rifillimin e testeve bërthamore, ishin ndaluar 33 vjet më parë

Gazeta Si – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes të rifillojë testimet e armëve bërthamore, të cilat u ndaluan 33 vjet më parë – hera e fundit ishte në vitin 1992.

Trump tha se procesi për të rifilluar testimet duhet të fillojë menjëherë. Ai e justifikoi vendimin duke thënë se Rusia dhe Kina gjithashtu kryejnë teste bërthamore dhe se testet bërthamore të SHBA-ve, duhet të përputhen me ato të kryera nga dy vendet e tjera.

Rusia kohët e fundit testoi një raketë dhe torpedo me energji bërthamore, por nuk ka testuar një bombë bërthamore që nga viti 1990 (kur Bashkimi Sovjetik, nga i cili lindi arsenali bërthamor i Rusisë, ende ekzistonte), dhe Kina nuk e ka bërë këtë që nga viti 1996.

Të tre vendet kanë vazhduar të zhvillojnë arsenalet e tyre bërthamore dhe të testojnë e praktikojnë me raketa të afta për të mbajtur bomba bërthamore.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina kanë nënshkruar Traktatin e Kombeve të Bashkuara për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore, por ai nuk ka hyrë kurrë në fuqi për shkak të mungesës së nënshkrimit ose ratifikimit nga disa shtete që kanë armë bërthamore.

Kina, Rusia dhe vetë Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar atë (Rusia e kishte bërë këtë, por e pezulloi pjesëmarrjen e saj në vitin 2023).

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga miratimi i traktatit në vitin 1996, vetëm tre vende kanë testuar armë bërthamore dhe asnjë prej të cilave nuk e ka nënshkruar atë: India dhe Pakistani në vitin 1998 dhe Koreja e Veriut midis viteve 2006 dhe 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë