Bota

‘Brigitte ka lindur burrë’, nis në Francë gjyqi për lajme të rreme kundër gruas së Macron

Gazeta Si – Gjyqi i 10 personave të akuzuar për ngacmim kibernetik ndaj Brigitte Macron, shënjestër e një lajmi të rremë global që pretendon se gruaja e presidentit Francez Emmanuel Macron është në fakt një burrë, filloi të hënën në Gjykatën Penale të Parisit.

Të pandehurit, tetë burra dhe dy gra, të moshës midis 41 dhe 60 vjeç, përfshirë zyrtarë të zgjedhur, pronarë galerish, mësues dhe profesionistë të IT-së, akuzohen nga zyra e prokurorit të Parisit për postim dhe ndarje në mediat sociale shakash, fyerjesh, fotomontazhesh dhe komentesh të tjera dashakeqe rreth “gjinisë” dhe “seksualitetit” të Brigitte Macron, si dhe për barazimin e diferencës së saj në moshë me “pedofilinë” e burrit të saj. Brigitte mungonte në sallën e gjyqit.

Hetimi për ngacmimin kibernetik, kujton “Le Monde”, iu besua Brigadës kundër Krimeve ndaj Personit pas një ankese të paraqitur nga Brigitte Macron më 27 gusht 2024, e cila çoi në disa valë arrestimesh, veçanërisht në dhjetor 2024 dhe shkurt 2025.

Disa nga të pandehurit, të moshës midis 41 dhe 60 vjeç, janë shumë aktivë në mediat sociale, me postime që ndonjëherë grumbullojnë dhjetëra mijëra shikime.

Delphine Jegousse, 51 vjeç, e njohur si Amandine Roy, e cila e përshkruan veten si medium dhe shkrimtare, konsiderohet përgjegjëse për përhapjen e thashethemeve pasi postoi një video katër-orëshe në kanalin e saj në YouTube në vitin 2021.

Aurélien Poirson-Atlan, 41 vjeç, e njohur në mediat sociale si Zoé Sagan, pati pezullimin e llogarisë së tij X vitin e kaluar pasi emri i tij u përmend në disa hetime gjyqësore.

Familja Macron ka qenë viktimë e teorive konspirative për vite me radhë, duke pretenduar se Brigitte lindi nga një burrë i quajtur Jean-Michel Trogneux, i cili më pas mori emrin Brigitte, sepse ajo është transgjinore.

Jean-Michel Trogneux është vëllai i Brigitte. Gjyqi dy-ditor në Paris vjen pasi familja Macron ngriti një padi për shpifje në korrik në një gjykatë në Delaware, siç deklaroi avokati i tyre, ata do të kërkojnë dëmshpërblim “të konsiderueshëm” nga influencuesja konservatore amerikane Candace Owens nëse ajo vazhdon të pretendojë se Brigitte është burrë.

Një vendim në rastin e Parisit ka të ngjarë të jepet në një datë të mëvonshme. Në shtator 2024, Brigitte dhe Jean-Michel Trogneux fituan një padi për shpifje kundër Jegousse dhe një gruaje tjetër, të cilët u dënuan nga një gjykatë e Parisit me gjoba dhe dëmshpërblim për përhapjen e pretendimeve në lidhje me zonjën e parë në internet.

Një gjykatë apeli e Parisit e rrëzoi vendimin në korrik. Brigitte dhe vëllai i saj e apeluan këtë vendim në Gjykatën Supreme Franceze.

Brigitte Macron, e martuar që nga viti 2007 me Emmanuele, u takua në shkollën e mesme, ku ai ishte nxënës dhe ajo mësuese.

Brigitte Macron, 24 vjet më e madhe se bashkëshorti i saj, atëherë quhej Brigitte Auzière, e martuar me tre fëmijë. Emmanuel Macron, 47 vjeç, është President i Francës që nga viti 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë