Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi është mbledhur për seancën e radhës plenare, e cila pritet që të jetë maratonë për shkak të raportimit të institucioneve të drejtësisë.
Në fillim është parashikuar ngritja e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, për të cilat maxhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësi në barazinë mes anëtarëve, bashkëkryetarëve dhe marrjen e ekspertizës ndërkombëtare, aty ku do të jetë e nevojshme.
Kjo seancë pritet të përballë edhe Sali Berishën me kreun e SPAK, i cili do të raportojë për herë të parë në Kuvend, që pas nisjes së hetimeve për kreun e PD-së, futjes në arrest shtëpie dhe marrjes si i pandehur për aferën ‘Partizani’.
I pranishëm nuk do të jetë Gazment Bardhi pasi u përjashtua për dy javë për shkak të përplasjes në seancën e kaluar me kreun e Kuvendit, Niko Peleshi. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së i ka dërguar edhe një shkresë Peleshit, ku i kërkonte të shmangë të gjitha provokimet ndaj deputetëve.
‘Çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34 vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizimit dhe asgjesim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës.’, thuhet në letrën e grupit të PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



