Politike

Drafti i ri/ Regjistër publik për kontratat dhe kontaktet e lobistëve në Shqipëri, afat 6 muaj për të deklaruar burimet financiare

Nga Gazeta Si- Qeveria shqiptare ka hartuar për herë të parë një kuadër ligjor për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, ku synon të vendosë rregulla për ndërveprimin ndërmjet zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.

Në projektligj përcaktohet detyrimi për regjistrim të çdo individi apo subjekti juridik që angazhohet në lobim, si dhe deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve çdo gjashtë muaj.

Nëpërmjet këtij projektligji do të vendoset detyrimi për raportim mbi aktivitetet e lobimit, respektimi i Kodit të Sjelljes dhe të parimeve etike profesionale, si dhe deklarimi i konfliktit të interesit.

Zyrtarët publikë do të raportojnë për takimet apo komunikimet me lobistë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.

Në projektligj gjithashtu thuhet se do të ketë kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.

Ndërkohë, dhe çdo person që është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për ndonjë nga veprat penale si korrupsion, mashtrim, pastrim parash, pjesmarrje në grup krimianl ndalohet të ushtrojë lobim për një periudhë 5-vjeçare nga data e ekzekutimit të dënimit.

Gjithashtu, nuk mund të ushtrojë veprimtari lobimi personi juridik që:

– është në proces falimentimi ose likuidimi;

– ka asete të administruara nga gjykata ose nga administrator falimentimi;

– ka pezulluar veprimtarinë tregtare;

– ka lidhur marrëveshje me kreditorët për shlyerje të borxheve, sipas legjislacionit në  fuqi.

Së fundmi, në projektligjin e hedhur për konsultim thuhet se nuk mund të ushtrojë veprimtari lobimi çdo person fizik ose juridik që e ka bërë më parë këtë.

Autoriteti kompetent për këtë ligj do të jetë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë