Politike

Berisha: Raporti i OSBE/ODIHR faktoi farsën zgjedhore

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për “heshtje dhe mashtrim”, pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sipas Berishës, raporti konfirmon se procesi elektoral ka qenë “një farsë e vërtetë”, duke theksuar se përpjekjet e qeverisë për të ndikuar tek misionet ndërkombëtare kanë dështuar.

Sipas Berishës, vetëm gjatë fushatës janë regjistruar 4.500 shkelje të kodit zgjedhor, përmes aktiviteteve të ndaluara, që sipas Berishës kanë përfituar qindra milionë euro fonde për të ndikuar votën e qytetarëve.

“Në raportin që unë shpresoj të mos jetë fake, të jetë real, që është vendosur në internet, rezulton se nuk është hequr asnjë presje.

Aty faktohet se në kundërshtimet me parimet ndërkombëtare, Edi Rama i ka shndërruar punonjësit e administratës në patronë të urryer të shqiptarëve për votën. Aty faktohet se janë përdorur bonuse për votën, dhuratë për votën 100 euro për pensionistët.

Faktohet se është përdorur falja e gjobave 200 milionë për votë. Faktohet se janë dhënë 138 licenca për 28 mijë hektarë tokë të mbjellë me kanabis.

Pra, faktohet se u dhanë 500 milionë euro prokurime në kundërshtim më ligjin për të blerë vota. Faktohet përdorimi i punësimit të përkohshëm në mijëra raste për të blerë vota.

Faktohet terrori mbi punonjësit e administratës për të votuar”, tha Berisha.

Ai shtoi se shqiptarët kanë detyrimin madhor të ngrihen për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Berisha gjithashtu akuzoi parlamentin aktual si ‘më armiqësorin ndaj shqiptarëve në historinë 32-vjeçare’, duke e cilësuar si një institucion të paaftë dhe të korruptuar që ka miratuar ligje dhe vendime pa asnjë lloj diskutimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë