Gazeta Si – Shtëpia e Bardhë është gjithnjë e më e shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të prishë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza.
Kështu raporton “New York Times”, duke theksuar se strategjia e administratës Trump është të përpiqet ta parandalojë atë nga rifillimi i një sulmi në shkallë të plotë kundër Hamasit.
Për këtë, në rajon ka dërguar zëvendëspresidentin J.D. Vance, të dërguarin e Lindjes së Mesme Steve Ëitkoff, dhëndrin e Trump, Jared Kushner.
Këta të fundit udhëtuan dje për në Izrael, ndërsa sot pritet të shkojë edhe Vance. Qëllimi, sipas gazetës amerikane, është që të ushtrohet presion ndaj Izraelit për marrëveshjen.
Po ashtu sipas gazetës, thuhet se janë duke u zhvilluar negociata me Turqinë për të dërguar një ekip të specializuar për të ndihmuar në gjetjen e trupave të pengjeve izraelite të zhdukur në Gaza, pas vështirësive të pranuara nga Hamasi.
Nga ana tjetër, Trump ka kërcënuar edhe Hamasin se do të shkatërrohet nëse thyen armëpushimin.
Armëpushimi u ndërmjetësua këtë muaj pas një lufte dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit. Por një raund i ri dhune të dielën nxori në pah brishtësinë e armëpushimit 10-ditor.
Witkoff dhe Kushner pranojnë se situata është “shumë delikate” dhe marrëveshja e paqes që negociuan është në rrezik. Qëllimet e tyre janë stabilizimi i situatës, dorëzimi i ndihmës humanitare në Gaza dhe kthimi i trupave të pengjeve izraelite të vrarë.
Demilitarizimi i Hamasit është pjesë e marrëveshjes, por arritja e këtij qëllimi do të jetë e vështirë. Nëse Hamasi tërhiqet nga zotimet për çarmatim, Izraeli do të ketë mbështetjen e plotë të SHBA-ve për ta eliminuar me forcë organizatën.
Ekipi amerikan po punon gjithashtu për të sjellë zhvillues në zonat që nuk kontrollohen më nga Hamasi, duke krijuar zona pa tarifa për rindërtimin e atyre pjesëve të Gazës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



