Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku folën për situatën në Ukrainë dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Takimi u hap me fjalët e Trump, i cili e cilësoi praninë e homologut ukrainas si një nder të madh dhe e përshkroi atë si një lider shumë i fortë që ka kaluar shumë.
Nga ana e tij, presidenti Zelensky falënderoi Trumpin dhe e uroi për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
“Mendoj se me ndihmën tuaj mund ta përfundojmë dhe luftën në Ukrainë”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Rusia nuk po arrin shumë suksese në fushën e betejës.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ka zhvilluar takime me disa kompani energjetike amerikane, të cilat janë të gatshme të investojnë në Ukrainë sapo të përfundojë lufta.
Zelensky i sugjeroi Trumpit që Ukraina mund t’i ofrojë SHBA-së mijëra dronë nëse Uashingtoni i lejon të përdorë raketat Tomahawk për të shënjestruar brenda Rusisë.
“Kjo është arsyeja pse mund të punojmë së bashku, ku mund të forcojmë prodhimin amerikan. Ne kemi një propozim të madh me dronët tanë”, u shpreh presidenti i Ukrainës.
Edhe presidenti i SHBA u pyet nëse do të ishte i interesuar për një marrëveshje të tillë.
“Po, do të ishim. Ne kemi shumë dronë tani. Ne i ndërtojmë vetë dronët tanë, por blejmë edhe dronë nga të tjerët, dhe ata (Ukraina) prodhojnë dronë shumë të mirë.”, u shpreh Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



