Nga Gazeta “SI”- Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, do të zhvillohet më 30 tetor 2025 dhe pritet të jetë një prej ngjarjeve më të rëndësishme akademike të këtij viti.
Ky kuvend, që mbahet çdo dy vjet, sjell këtë herë në qendër të debatit shkencor temën “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë-vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”, duke synuar të rishikojë marrëdhëniet historike, kulturore dhe identitare.
Për herë të parë, kjo çështje me rëndësi për kombësinë shqiptare do të trajtohet në mënyrë të thelluar në qarqet akademike, përmes qasjeve të reja teorike dhe shkencore mbi raportet ndërmjet vendit amë dhe diasporës historike.
Drejtoresha e Qendrës për Studime dhe Botime Arbëreshe, Diana Kastrati, thotë për GazetaSi.al se Kuvendi organizohet një herë në dy vjet dhe këtë vit përkon me pesëvjetorin e krijimit të Qendrës për Studimet dhe Botimet Arbëreshe.
“Ditën e parë do të ketë një sesion kremtues, i cili bëhet në kuadër të pesëvjetorit të krijimit të Qendrës për Studimet Arbëreshe. Para sesionit do të ketë një ekspozitë, e cila hapet në bashkëpunim me Drejtorinë e Arkivave, me dokumenta që i përkasin politikave të shtetit shqiptar ndaj arbëreshëve. Në kuvend janë thirrur një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve tanë, arbëreshë, por edhe nga Tetova, Kosova, Shkupi, pra nga institucione me të cilat bashkëpunojmë.”

Ajo thekson se argumenti i Kuvendit të Tretë trajton marrëdhënien reale mes arbëreshëve dhe Shqipërisë, një marrëdhënie shpesh e parë në mënyrë të fragmentarizuar.
“Pas sesionit të parë vjen edhe sesioni studimor. Argumenti i përzgjedhur për këtë sesion, e them pa modesti, është një temë që nuk është diskutuar më parë: ‘Cila është narrativa që krijohet midis diasporës historike dhe vendit amë, dhe anasjelltas’. Kjo narrative deri më sot është parë me një qasje folklorike. Pra, arbëreshët janë parë si heronj që kanë ruajtur gjuhën shqipe dhe kaq. Sigurisht kjo qëndron, por ky është një këndvështrim i përgjithshëm, pa hyrë në detaje, dhe shihet në mënyrë të fragmentarizuar dhe mbi të gjitha të glorifikuar. Pra është përqendruar e gjitha në një narrativë e cila hollë-hollë nuk qëndron. Duke qenë larg arbëreshët e kanë idealizuar Shqipërinë, dhe vazhdojnë ta bëjnë.

Pjesë e këtij diskutimi është thirrur një antropologe, Giuliana Pratto, e cila jep mësim në Britaninë e Madhe, e cila do të diskutojë rreth 40 minuta për këtë temë por në dritën e teorive të reja bashkëkohore. Pas asaj do të flas edhe për plazmimin e identiteteve tek të rinjtë arbëresh dhe cilat duhet të jenë politikat e shtetit shqiptar për të rikrijuar lidhjet, sepse të rinjtë kanë qasje krejt të reja dhe ky raport është thuajse inekzistent.”
Kastrati shpjegon sesi Qendra që ajo drejton funksionon në tre drejtime, të cilat lidhen kryesisht me kulturën arbëreshe dhe studimin e thelluar të saj, si dhe me receptimin e kësaj kulture tek të rinjtë.
“Qendra për Studimet Arbëreshe ka tre drejtime. Studimin e kulturës arbëreshe në 360 gradë, pra të gjitha fushat që prekin atë më thellë. Objekti i dytë janë botimet, dhe ne kemi sjellë deri më sot 27 libra për pesë vjet, që janë libra studimorë dhe janë botuar për herë të parë në shqip. Dhe e treta është divulgimi dhe promovimi i kulturës arbëreshe në territorin shqiptar duke nisur nga të rinjtë dhe deri te të rriturit.” mbyll Kastrati
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



