Nga Gazeta Si- Në ditën ndërkombëtare të të verbërve, në Shqipëri u fol për mbështetje dhe mungesë mbështetje për këtë kategori.
Ndërkohë që Shoqata e të verbërve po mbante një protestë para bashkisë së Tiranës, zv/ministria e Shëndetësisë, Ina Majko, me anë të një video, foli për mbështetjen që iu është dhënë të verbërve në Shqipëri.
Ajo tha se qeveria mbështet me pagesa mujore të indeksuara çdo vit, mbështetje që sipas Jonid Ferhatit, president i Shoqatës së të Verbërve thotë se rritja e pagesës mujore ka qenë inflacion, e jo një rritje reale.
“Ne, shoqata e të verbërve, kërkojmë që pagesat të rishikohen dhe të kenë rritje reale, pasi që nga viti 2009, kanë pësuar vetëm inflacion”, tha ai.
Një tjetër ‘përplasje’ midis shoqatës dhe ministrisë është për shërbimet sociale, ku Majko përmend se të verbrit mbështeten me shërbime sociale falas, ndërkohë që Ferhati thotë se shërbimet për të jetuar një jetë me dinjitet janë një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
“Fatkeqësisht, që nga viti 2014 do të duhej që shërbimet të merrnin një tjetër standard, një standard europian pasi në atë vit përfundoi së ndërtuari qendra kombëtare e rehabilitimit të të verbërve e cila është më e madhja në rajon por fatkeqësisht në atë vit shërbimet u ndërprenë totalisht”, thotë Ferhati, i cili shton se në 2016 u bë ligji për decentralizimin për shërbimet dhe ky ligj solli fatkeqësi sepse që nga ajo kohë e deri më tani qytetarët e verbër nuk kanë përfituar asnjë shërbim special për të cilët kanë nevojë.
Sipas protestuesve, për shkak të mungesës së shikimit, problematikat kryesore të të verbërve janë dy: autonomia në lëvizje dhe aksesi në informacion.
Pa shërbime speciale, këto dy barriera janë të pamundura për tu kaluar, thonë ato.
Po ashtu, protestuesit kërkuan rikthimin e shërbimeve.
“As 1 për qind e të verbërve nuk janë të punësuar siç e parashikon ligji. Nuk po kërkojmë luks, kërkojmë që të mos jemi barrë e shoqërisë por që të jetojmë në mënyrë të pavarur”, thonë protestuesit.
Në vendin tonë janë 14.945 të verbër. Pagesa e tyre mujore është 14.800 lekë nga 14.300 që ka qenë më parë.
Kjo shifër ndryshon në bazë të kategorisë, ku një I verbër i grupit 1 merr 3 mijë lekë shtesë për pagesën e dritave dhe një i verbër i kategorisë 2 merr 2400 lekë shtesë për dritat.
Kompensimin për dritat e fitojnë vetëm ato që i paguajnë rregullisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



