Bota

Izraeli rihap pikën kufitare në Rafah, 600 kamionë me ndihma do të hyjnë në Gaza

Nga Gazeta ‘Si’- Izraeli ka njoftuar se do të rihapë pikën kufitare në Rafah mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës me qëllim lejimin e ndihmës humanitare për palestinezët.

Të paktën 600 kamionë me ndihma do të hyjnë në Rripin e Gazës.

Rihapja e pikës kufitare Rafah, e cila u vendos “në nivel politik”, vjen pasi Hamasi dorëzoi katër trupa të tjerë pengjesh si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të pranuar si nga organizata palestineze ashtu edhe nga Izraeli.

Plani i armëpushimit i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të cilin e pranuan si Izraeli ashtu edhe Hamasi, parashikonte që dorëzimi i të 48 pengjeve do të përfundonte deri në mesditën e së hënës. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e ka paralajmëruar grupin e armatosur palestinez se “çdo vonesë ose shmangie e qëllimshme do të konsiderohet një shkelje e rëndë e marrëveshjes dhe do të marrë përgjigje përkatëse”.

Marrëveshja për fazën e parë u nënshkrua më 13 tetor në Sharm el-Sheikh, dhe përfshiu tërheqjen e pjesshme të ushtrisë izraelite (e cila mban kontrollin e 53% të Rripit), kthimin e pengjeve dhe lirimin e 1,968 të burgosurve palestinezë.

Por tashmë po ushtrohet presion ndaj Hamasit për çmilitarizimin e tij. Sipas medias amerikane Axios, lëvizja ka shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar armët e rënda, kryesisht raketa, një entiteti palestinez ose arab, por por ka këmbëngulur në mbajtjen e armëve të tjera për vetëmbrojtje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë