Bota

Një shpërthim me gaz gjatë një dëbimi nga shtëpia, vret 3 policë në Itali

Gazeta Si – Tre policë (Marco Piffari dhe Valerio Daprà, të dy 56 vjeç, dhe Davide Bernardello, 36 vjeç) u vranë dhe 15 ushtarë, oficerë policie dhe zjarrfikës u plagosën në një shpërthim në një shtëpi fshati në Castel D’Azzano, në provincën e Veronës në përpjekje për të ezkekutuar njdhër përmbarimi.

Oficerët e policisë kishin mbërritur për të kontrolluar shtëpinë: në kohën e shpërthimit – me shumë mundësi të shkaktuar nga banorët e saj – 2 vëllezër dhe një motër ishin brenda, të cilët u arrestuan për vrasje të qëllimshme me paramendim.

E gjithë shtëpia dykatëshe u shemb, duke përfshirë ushtarët dhe oficerët. Zjarrfikësit ishin gjithashtu në vendngjarje dhe reaguan menjëherë, por nuk mund të bënin asgjë për tre oficerët.

Shpërthimi u dëgjua 5 km larg. Një vit më parë, banorët përdorën bombola gazi për të shmangur dëbimin.

Ngjarja ndodhi kur autoritetet italiane ndërhynë për të ekzekutuar një urdhër përmbarimi ndaj tre vëllezërve, të cilët prej muajsh refuzonin të dorëzonin banesën.

Ata janë emra të njohur për policinë, pasi edhe më parë, në tetor dhe më 24 nëntor 2024, kishin kundërshtuar me forcë përmbaruesit.

Gjatë tentativës për të hyrë me forcë në banesë, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, në momentin kur u hap dera e përparme.

Shtëpia ishte e mbushur me gaz, që dyshohet të jetë lëshuar qëllimisht nga disa bombola të vendosura nëpër dhoma. Shpërthimi shkatërroi ndërtesën dhe vrau në vend tre karabinierë, duke plagosur rëndë edhe të tjerë.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, në banesë u gjetën pesë bombola gazi dhe mbetje koktejsh Molotov, duke forcuar dyshimet se shpërthimi ishte i qëllimshëm.

Tre vëllezërit u arrestuan nga autoritetet menjëherë pas shpërthimit dhe akuzohen si përgjegjës për këtë akt të rëndë, që u mori jetën disa pjesëtarëve të forcave të rendit. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe po hetohet në detaje nga autoritetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë