Nga Gazeta Si- “Kam që në muajin korrik që kërkoj një shtëpi me qira në Tiranë. Për shkak se zona ku po kërkoj është brenda unazës së vogël, nuk e kam patur të lehtë ta gjeja një apartament siç doja unë, me 2 dhoma gjumi, të mobiluara mirë. Sapo kam përfunduar studimet e bachelor-it dhe tani pres të ndjek masterin”.
Arbenita është një 22-vjeçare nga Kruja por familja e ka suportuar në 3 vitet e shkollës, duke ja paguar qiranë e shtëpisë të cilën e ka ndarë me miken e saj të ngushtë.
“U përpoqa këtë vit të gjeja një shtëpi vetëm për vete por qiratë e larta më penguan. Shtëpia që kam gjetur me miken time është pranë rrugës “Bardhyl” dhe kushton 650 mijë lekë të vjetra”, vijon të tregojë 22-vjeçarja që jetën e ndan midis shkollës dhe punës e cila nuk i mjafton të përballojë shpenzimet e jetesës në kryeqytet.
Viti i ri akademik rrit çdo vit kostot e qirave
Të pyetur nga Gazetasi.al, agjentë imobilarë në Tiranë thonë se çdo vit të ri akademik qiratë e banesave në kryeqytet pësojnë rritje të ndjeshme. Sikur të mos mjaftonte rritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimit, edhe qiratë janë një barrë për familjet që nuk disponojnë një banesë.
Sipas tyre, rritja e çmimeve të qirave të shtëpive lidhet dhe me rritjen e vazhdueshme të çmimit të apartamenteve në kryeqytet.
“Në pamundësi për të blerë një banesë, kërkesat për shtëpi me qira janë të larta dhe kjo e ka rritur trendin e çmimeve të qirave në Tiranë. Duke përkuar dhe me nisjen e vitit të ri akademik, tetori shënon një rritje të lartë të çmimeve ku në pjesën më të madhe, pronarët janë më të interesuar për familjarë sesa studentë”, thotë Ervini, agjent imobiliar në Tiranë.
“Në dilemë jam a duhet të marr një kredi për të blerë një shtëpi, meqë jetën tani e kam të lidhur me Tiranën. Në Krujë nuk besoj do të kthehem edhe pas përfundimit të ciklit të studimeve të Masterit”, thotë Arbenita. Por dhe shoqet e saj ndajnë të njëjtin mendim.
Të detyruara të ndajnë banesën, vajzat e reja shpesh janë në kërkim të një shoqe dhome. Rrjetet sociale i ndihmojnë të gjejnë të reja që duan një shtëpi me qira, por risku për shkak të mungesës së njohjeve të mëparshme, i detyron ato ta mbajnë vetë shtëpinë, duke kërkuar suport tek familja.
Ndërkohë, Kampusi Universitar, projekti që ka nisur të diskutohet prej 10 vitesh mbetet ende një projekt i papërfunduar, megjithëse çdo vit vendosen afate të reja.
Të studiosh në Tiranë, për një të ri apo të re që vjen nga qytete të largëta është kosto shumë e lartë, e cila pa një punë prej tyre apo një ndihmë nga familja është në nivelin e të pamundurës.
Studimi, vetëm 14% e studentëve në konvikte
Në ish-konviktet e “Qytetit Studenti” shumë prej studentëve nuk shkojnë as të paraqiten pasi nën zë ato e dinë se akomodimi kërkon dhe njohje të tjera, ndonjë bakshish e përsëri kushtet në konvikt mbeten ende sfidë.
Në një studim të tyren, “Qëndresa Qytetare” thotë se nga të dhënat e marra nga Bashkia Tiranë, të dyja Rezidencat Studentore mbulojnë akomodimin e 7,593 studentëve.
Në universitetet e Tiranës aktualisht vazhdojnë studimet e tyre 51,036 studentë.
Nga këta të fundit vetëm 14.9% e tyre mund të akomodohen pranë këtyre rezidencave studentore, duke detyruar thuajse 85.1% t’i drejtohen tregut të banesave me qira.
“Në rezidencat studentore banojnë aktualisht 4,685 studentë dhe janë gati 2,908 shtretër të lirë. Në vetëm tre vite numri i studentëve të akomoduar pranë Rezidencës Studentore Nr.1 ka rënë me 838 studentë edhe pse në këto vite kemi hapjen e godinave të reja si edhe rikonstruktimin e një pjesë të godinave të dëmtuara”, thuhet në studim.
Ndër të tjera shkruhet se deri në fundin e vitit akademik 2024- 2025, studentit i duhej të paguante 6- 10 muaj tarifë regjistrimi, ndërkaq me kalimin e kohës, rregullimin dhe hapjen e godinave të tjera me kushte më të mira dhe duke ditur se tashmë kërkesa për t’iu afruar asaj që dikur quhej “Qyteti Studenti” do të rritej, administrata ka detyruar studentët që të kryejnë pagesat për një vit të plotë.
Sipas një monitorimi të kryer prej tyre, vërehet se godinat e reja, të sapondërtuara, rezultojnë të mbushura çdo ditë në sistem dhe nuk shfaqen më si të lira në aplikacionin “Tirana Ime”, duke pamundësuar kështu aksesin e studentëve të tjerë që kërkojnë akomodim.
“Në dy vitet e fundit në rezidencat e vjetra rezulton të ketë 58% më pak studentë të akomoduar, kjo për shkak të kushteve të pafavorshme. Aktualisht rezulton se rezidenca nr.14, nr.7 dhe nr.8 të cilat së bashku kanë një kapacitet prej 547 shtretërish, janë të pabanueshme nga studentët. Bazuar në statistikat e Bashkisë Tiranë, disa rezidenca studentore për djem (nr.6, nr.4 dhe nr.16) rezultojnë bosh”.
Megjithatë, sipas monitorimit të Qëndresës Qytetare, ato nuk shfaqen si të lira në aplikacionin zyrtar.
“Kjo mospërputhje ngre dyshime se mund të jetë e qëllimshme dhe e përdorur për interesa klienteliste”, thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



