Bota

Shengen, nga 12 tetori hyn në fuqi sistemi i ri i kontrollit për qytetarët jo-europianë

Gazeta Si – Një sistem i ri digjital do të hyjë në fuqi më 12 tetor për të regjistruar të dhënat e qytetarëve të vendeve jo-anëtare të BE-së që hyjnë në zonën Shengen për qëndrime të shkurtra.

Lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve përfshin pothuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Ky sistem i ri, i njohur si EES (sistemi i hyrjes/daljes), do të zëvendësojë vulat e pasaportave që më parë u janë vendosur atyre që hyjnë nëpërmjet aeroporteve dhe kufijve tokësorë me kontrolle biometrike, të tilla si skanime të fytyrës dhe gjurmë gishtash.

Futja në fuqi e EES në vendet evropiane do të jetë graduale: duhet të përfundojë deri në prill 2026.

Sistemi EES do të përdoret për këdo që dëshiron të qëndrojë brenda zonës Shengen deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Ata që kanë vizituar më parë një nga vendet e Shengenit do të duhet të paraqesin dokumentin e tyre, dhe zyrtari (ose një sistem i automatizuar identifikimi, nëse është i disponueshëm) do të duhet vetëm të verifikojë gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografojë.

Ata që hyjnë në zonën Shengen për herë të parë do të duhet të japin të gjithë informacionin, duke përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe një skanim të fytyrës, të cilat më pas do të regjistrohen në ESS dhe do të përdoren për identifikim biometrik në rast të ndonjë hyrjeje në të ardhmen.

Sistemi EES do të ruajë të dhënat personale të listuara në pasaportë, vendet dhe datat e hyrjes dhe daljes nga vendet e Shengenit, si dhe të dhënat biometrike.

Këshilli i Bashkimit Evropian e justifikoi futjen e sistemit EES duke thënë se ai do të përmirësojë efikasitetin e kontrolleve kufitare dhe do të parandalojë emigracionin e parregullt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë