Bota

SHBA, nis pushimi nga puna i punonjësve federalë pas mbylljes së qeverisë

Gazeta Si – Administrata e Donald Trump ka filluar të pushojë nga puna punonjësit e qeverisë federale për shkak të mbylljes së qeverisë, procesi i nisur në fillim të tetorit me anë të të cilit qeveria amerikane nuk mund të shpenzojë më para sepse republikanët dhe demokratët nuk mund të bien dakord për projektligjin e buxhetit.

Njoftimi u bë nga Russ Vought, drejtor i Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit Federal në Shtëpinë e Bardhë, i cili shkroi në X të premten se “reduktimet e stafit” kanë filluar.

“The Ëashington Post” raporton se pushimet nga puna prekin një total prej afërsisht 4,100 punonjësish në shtatë departamente (Tregti, Arsim, Energji, Shëndetësi, Strehim dhe Zhvillim Urban, Siguri Kombëtare dhe Thesar) dhe se do të duhen 30 deri në 60 ditë që të hyjnë në fuqi.

Trump u tha gazetarëve të premten në mbrëmje se pushimet nga puna përfshijnë “njerëz që duan demokratët”.

Trump po e shfrytëzon këtë situatë kaotike për të fituar avantazh politik, duke ia hedhur të gjithë fajin për mbylljen demokratëve.

Në praktikë, mbyllja do të thotë që vetëm aktivitetet thelbësore qeveritare janë plotësisht funksionale, siç janë ushtria, pagesat e pensioneve, menaxhimi i trafikut ajror dhe infrastruktura.

Çdo gjë tjetër ka ndaluar së funksionuari, nga parqet kryesore deri te lëshimi i vizave dhe dokumenteve: qindra mijëra punonjës të qeverisë federale tashmë janë pezulluar nga puna. Në total, afërsisht 750,000 punonjës pritet të vendosen në pezullim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë