Politike

Binaj tha se nuk do dalë në fushatë me Berishën, kreu i PD: Është kandidat i pavarur

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha është pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj i cili tha se nuk do dalë në fushatë krah Berishës.

Berisha këtë distancim që kërkon Binaj e ka pranuar duke shpjeguar se është normale për kandidatët e pavarur. Kreu i PD-së sqaroi se Florian Binaj nuk është kandidat jo-partiak i propozuar nga opozita, por kandidat i pavarur, i cili mbështetet nga opozita.

“Ai nuk është kandidat i propozuar nga ne as i partive opozitare jo partiak, por i pavarur që partitë opozitare kanë vendosur ta mbështesin.

E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një rrymë të cilët vërtetë nuk realizojnë dot dallimin midis kandidatit të pavarur të mbështetur nga parti politike dhe kandidatit jo partiak të propozuar nga partitë politike, ky i fundit është kandidat i partisë politike.

Kandidati që kandidon në mënyrë të pavarur dhe partitë politike vendosin të mbështesin, nëse është i pavarur nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarë e partive. Po kryetarët e partive do angazhohen me mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar atë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë