Politike

Berisha: Veliajn e arrestoi Rama

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se qëndron pas arrestimit të Erion Veliajt, me qëllim eliminimin e tij politik.

“Erion Veliajn e arrestoi Rama, për ta eliminuar politikisht. E arrestoi me një letër të Nesti Angonit, me një pamflet që mund ta shkruajë çdo njeri”, – deklaroi Berisha në deklaratën për mediat.

Sipas tij, Veliaj është trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe arrestimi i tij ka qenë një manovër politike nga vetë kreu i qeverisë.

“E arrestoi dhe e trajtoi në mënyrë çnjerëzore. I dërguan policë edhe në sallën e operacionit. Veliaj është marrë nga burgu në mes të natës dhe është dërguar në një vend të panjohur, këtë ia ka bërë Rama”, theksoi Berisha, duke shtuar se edhe pse Veliaj nuk ka ende një akuzë për aferën “5D”, ai është i implikuar dhe i denoncuar me dokumente për keqpërdorim fondesh publike.

Berisha nuk kurseu as kritikat ndaj kryeministrit Rama, të cilin e quajti “flamurtarin e vjedhjes në historinë e shtetit shqiptar”.

“Edi Rama është hajduti më i madh i vendit. Rama iu thotë shqiptarëve: do ju vjedh, e ju mos ta merrni vesh. Shqipëtarët duhet të ngrihen kundër kësaj politike”, tha ai.

Ish-kryeministri akuzoi Ramën se ka shpenzuar 23 milionë euro për charterë në vetëm dy vite, duke bërë mbi 140 udhëtime me avionë privatë, që sipas tij janë përdorur edhe për qëllime të dyshimta.

“Rama akuzohet se ka transferuar ngarkesa droge. Ka refuzuar Komisionin Hetimor Parlamentar që do të verifikonte të dhëna për valixhet diplomatike, të cilat dyshohet se janë mbushur plot”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se kryeministri kërkon të fshehë shpenzimet duke i klasifikuar si “sekret shtetëror”, dhe se mbështetësit e tij nuk njohin as Kushtetutën, por sipas tij veprojnë vetëm në funksion të interesave të Ramës.

Kreu demokrat deklaroi se PD ka premtuar ndryshim dhe se e ka nisur këtë rrugëtim, edhe me kandidimin në zgjedhjet e pjesshme të gjashtë kandidatëve të pavarur.

“Partia Demokratike ka qenë e mbetet parti e interesit kombëtar. Ne e premtuam se do ta ndryshojmë PD-në dhe në zgjedhjet e pjesshme ne do kemi kandidatë të pavarur. PD tani është në sulm. Partia Demokratike ka faktuar se është e vendosur që të mbrojë vlerat dhe do të ndërmarrë veprime ndryshimesh edhe më tej”, tha ai.

Berisha foli edhe për zhvillimet ndërkombëtare, duke përshëndetur fazën e parë të planit për paqe në Gaza dhe duke vlerësuar rolin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Përshëndes fazën e parë të planit për paqe në Gaza. Uroj që edhe fazat e tjera të ndjekin këtë rrugë dhe në Lindjen e Mesme të ketë paqe”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë