Nga Sokol Çunga – Një qese e vjetër e barabartë me 55 kilogramë.
1 broke e barabartë me 27.5 kilogramë.
1 karoqe e barabartë me 5.5 kilogramë.
E di, po vrisni mendjen se çfarë gjuhe po flas. Po ua shpjegoj.
Gjatë sundimit osman vetëm taksat ishin të standardizuara, në mënyrë që të mos mblidhej më shumë apo më pak se sasia e përcaktuar. Kurse etalonët, apo, njësitë e masës së peshës dhe të sipërfaqes nuk qenë të standardizuara.
Siç thotë bibliografia e përgjithshme, për Portën e Lartë nuk përbënte shqetësim fakti se çfarë njësie mase të sipërfaqes dhe të peshës përdornin nënshtetasit, për sa kohë taksat i paguanin siç i kërkonte arka qendrore e perandorisë.
Veç kësaj, në çdo aspekt tjetër osmanët respektuan traditat vendëse të etalonit. Si rrjedhojë, territore të ndryshme kishin njësi të ndryshme të matjes. Ky realitet mbeti në fuqi edhe në Shqipërinë e pas pavarësisë.

Kështu, duke iu referuar një tabele gjegjësie të vitit 1933 përpiluar nga Ministria e Bujqësisë, shohim etalonët e ndryshëm që përdoren në prefektura të ndryshme të Shqipërisë: në Berat 1 dynym është i barabartë me 1.912 m2, por në Lushnjë me 1.000 m2; në Elbasan një pendë fushe është e barabartë me 3.600-4.000 m2, kurse një pendë malsie 3.000 m2; në Gjirokastër një stremë është e barabartë me 920 m2, por në Jorgucat është e barabartë me 1.000 m2; në Tiranë 1 pendë dhe është e barabartë me 1.944 m2, kurse në Durrës është e barabartë me 1.485 m2. Ndërsa etalonët e peshës dhe të vëllimit janë, përgjithësisht, të ngjashme.

Pyetja e vetvetishme është: përse këto ndryshime. Një arsye është cilësia e tokës dhe terreni në të cilën ndodhet ajo. Toka me prejardhje moçalore, afërmendsh, prodhon shumë më shumë se një arë çelur në shpat kodre a mali, ku janë qëruar gurët dhe është shtuar dhe; toka pranë burimeve hidrike ujitet më lehtë dhe më mirë se një tokë çelur në mes të bokërimës, e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, këto masa duheshin mbajtur shënim dhe konvertuar për një arsye të thjeshtë: taksa mblidhet mbi prodhimin, jo mbi sipërfaqen. Pra, ja ku dalim edhe një herë tek ajo pjesë e punës dhe e parasë që duhet të qarkullojë në dobi të së përbashkëtës, e cila, me një fjalë të përgjithshme, përkufizohet si shteti.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



