Ngjarje

Arrestohet xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit Kalaja, një vit më parë kërcënonte: Do t’ju hedh në erë! (video)

Gazeta Si – Policia ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit, 30-vjeçarit, i cili vrau me armë zjarri gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit pas një vendimi gjyqësor mes dy palëve në konflikt për një pronë në Shkodër.

Gjon Shkambi ka qenë brenda sallës së gjyqit kur nipi i tij nxorri pistoletën tip “Berreta” dhe hapi zjarr drejt gjyqtarit dhe palës kundërshtare për pronën.

Por duket se Gjon Shkambi, kishte paralajmëruar publikisht për konfliktin për pronën gjatë një emisioni televiziv, duke kërcënuar me fjalët “do t’ju hedh në erë” anëtarët e palës kundërshtare të gjyqit për godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”. Për ironi të fatit emisioni është transmetuar në 6 tetor të vitit të kaluar, si sot një vit më parë.

“Ja gjej unë formën se si me e liru. Si ta minoj në 4 qoshet se është prona ime. E kam me certifikatë. Të gjithë do t’ju hedh në erë. Po ju paralajmëroj, të gjithë do t’ju hedh në erë”, – thotë Shkambi gjatë përballjes me personin që po fliste lidhur me këtë çështje.

Bëhet fjalë për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të ndërtuar nga shteti dhe që në vitin 1992 ishin strehuar me vendim të Këshillit Bashkiak 31 familje, por truallin ku ishte ndërtuar godina e fitoi më vonë me vendim gjykate familja Shkambi.

Përveç autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, sot u arrestua edhe roja i godinës së Gjykatës së Apelit për shkak se nuk kreu detyrën për të mos lejuar autorin të hynte në gjykatë me pistoletë në brez. Burimet zbuluan se detektori i metaleve nuk punonte prej ditësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë