Bota

Franca në kaos, kryeministri Lecornu dorëhiqet një muaj pas zgjedhjes

Gazeta Si – Sébastien Lecornu ia ka paraqitur dorëheqjen presidentit Francez Emmanuel Macron, i cili e ka pranuar atë, njoftoi Pallati Élysée.

I emëruar më 9 shtator, Lecornu ishte përballur me kritika nga opozita dhe e djathta pasi zbuloi një pjesë të përbërjes së qeverisë së tij të dielën në mbrëmje.

Ai ishte planifikuar të paraqiste deklaratën e tij të përgjithshme politike në Kuvend të martën. Duke dhënë dorëheqjen 27 ditë pas emërimit të tij, ai bëhet kryeministri me mandatin më të shkurtër në Francë.

Lecornu nuk kishte numrin e duhur të votave për të miratuar planin e buxhetit në fund të muajit.

Tensionet u përshkallëzuan pas deklaratave të kreut të Partisë Republikane, Bruno Retailleau, i konfirmuar si ministër i Brendshëm, i cili deklaroi se “përbërja e qeverisë nuk pasqyron ndarjen e premtuar”. Kriza shkaktoi gjithashtu reagime të ashpra nga opozita.

Pas njoftimit të dorëheqjes së Lecornu-së, Jordan Bardella (RN) i bëri thirrje Presidentit Emmanuel Macron të shpërndajë Asamblenë Kombëtare.

“Kryeministri në detyrë padyshim nuk kishte hapësirë ​​për manovrim”, komentoi presidenti i Rassemblement National.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Sébastien Lecornu, La France Insoumise po bën thirrje për “shqyrtim të menjëhershëm” të mocionit për shkarkimin e presidentit francez.

“Pas dorëheqjes së Lecornu-së, ne kërkojmë shqyrtim të menjëhershëm të mocionit të paraqitur nga 104 deputetë për shkarkimin e Macron”, shkroi Jean-Luc Mélenchon, kreu i partisë së majtë radikale, në një mesazh të botuar në X.

Në frontin progresiv, Mathilde Panot, presidente e grupit La France Insoumise, tha se “Macron duhet të largohet”, ndërsa socialisti Arthur Delaporte denoncoi “kaosin politik” të shkaktuar nga një qeveri “jetëshkurtër”.

Udhëheqësi i partisë presidenciale të Rilindjes dhe ish-kryeministri Gabiel Attal e quajti atë një “spektakël të mjerueshëm” nga e gjithë klasa politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë