Bota

Sulmi në Mançester, një nga civilët u vra gabimisht me armë nga policia

Gazeta Si – Policia e Mançesterit në Britani, tha se aksidentalisht qëlloi një nga dy burrat e vrarë gjatë sulmit në një sinagogë në qytet, ndërsa përpiqeshin të nënshtronin sulmuesin.

Të enjten, një burrë drejtoi makinën e tij drejt një grupi njerëzish pranë sinagogës Heaton Park Hebraic Congregation në veri të qytetit dhe më pas goditi me thikë të tjerët.

Sulmuesi u vra më vonë nga policia, e cila e identifikoi atë si Jihad Al-Shamie, një shtetas britanik 35-vjeçar me origjinë siriane.

Duke raportuar rezultatet e ekzaminimit të trupave të viktimave, Shefi i Policisë së Mançesterit, Stephen Watson, tha se njëri prej të dyve kishte një plagë me armë zjarri.

Megjithatë, sulmuesi nuk kishte armë zjarri dhe vetëm policia qëlloi gjatë sulmit. Watson e quajti ngjarjen një “pasojë tragjike dhe të paqëllimshme” të ndërhyrjes së oficerëve.

Watson nuk komentoi për shkakun e vdekjes apo identitetin e tij. Të vdekurit janë Adrian Daulby, 53 vjeç, dhe Melvin Cravitz, 66 vjeç.

Policia shtoi se një nga tre personat e shtruar në spital ka gjithashtu një plagë me armë zjarri, por plagët e tij nuk janë kërcënuese për jetën.

Sulmi u krye të enjten në mëngjes me rastin e festës së Yom Kippur (që në hebraisht do të thotë “Dita e Shlyerjes”), një nga më solemnet në fenë hebraike, në momentin kur ishte planifikuar të fillonte një shërbesë fetare me pjesëmarrje të madhe: shërbesa dhe ora e fillimit të saj ishin publikuar në faqen e internetit të sinagogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë