Rend dhe Ligj

Vrasja e Edmir Bregut për llogari të grupit Avdylaj, një nga autorët e dyshuar u ekzekutua në maj

Gazeta Si – Gjatë goditjes së dy grupeve kriminale në zonën e Shijakut, SPAK zbuloi se Astrit Avdylaj (aktualisht në burg për një masë tjetër sigurie), ka qenë organizatori i vrasjes së Edmir Bregut alias Ilir Kuçi në Durrës.

Ngjarja e ndodhur në janar 2021, sipas SPAK ndodhi për shkak të hakmarrjes për atentatin e dështuar ndaj nipit të Aldo Avdylajt.

Por sipas burimeve paraprake nga Prokuroria e Posaçme, mësohet se Ermir Dedja, anëtari i grupit të Avdylajve, i cili u vra mbrëmjen e 19 majit në Durrës, dyshohet se ka qenë një prej ekzekutorëve në vrasjen e Edmir Bregut.

Së bashku me të, dyshohet se ka qenë autor edhe Alfred Doka, i cili aktualisht është shpallur në kërkim.

Ndërsa ndihmës në këtë ngjarje kriminale, dyshohet ka qenë Enea Kume, vëllai i deputetit aktual të PS, Loer Kume.

Ekzekutimi i Dedjas mbeti “mister” sa i takon identitetit të autorëve, por deri më tani, dihet se policia ka shpallur në kërkim një maroken dhe një shqiptar, ndërsa janë arrestuar dy persona që shërbyen si kontrabandistë të mjetit që u përdor për vrasjen e Dedjas.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Astrit Avdylaj (i arrestuar) ka qenë porositësi i vrasjes së Bregut së bashku me nipin e tij, Aldo Avdylaj (në kërkim).

Gjatë operacionit që SPAK zhvilloi dje në Shijak, u godit edhe grupi i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, pasi dyshohet se kishte falsifikuar dokumente pronash në kadastrën e Durrësit.

Në kuadër të operacionit u arrestua Vullnet Muça, vëllai i “Rrumit të Shijakut”, ndërsa u sekuestruan 11 prona me sipërfaqe 250 mijë metër katrorë të dyshuara të falsifikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë