Bota

Putin: Çmenduri të mendosh se do sulmojmë NATO-n

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Rusia do të reagojë shpejt nëse Europa provokon Moskën për armatosjen e Ukrainës, të cilën kreu i Kremlinit e konsideroi si “militarizim histerik të kontinentit”.

Bëhet fjalë për raketat me rreze të gjatë veprimi që kërkon Ukraina, për të cilat Europa ka rënë dakord që më herët, por së fundmi po diskutohet edhe nga SHBA për t’i dhënë ose jo aprovimin.

Megjithatë, Putin u shpreh se Rusia nuk ka ndërmend ta sulmojë NATO-n.

Presidenti rus bëri fajtore Evropën për luftën që po vazhdon në Ukrainë, si dhe vetë NATO-n si shkaktare të luftës që synonte zgjerimin drejt Lindjes pranë kufijve të Rusisë.

Putin e konsideron tragjedi atë që po ndodh në Ukrainë.

“Tragjedia e Ukrainës është e dhimbshme si për ukrainasit ashtu edhe për rusët. Është e dhimbshme për të gjithë ne”, tha Putin.

Ndërkohë, Presidenti rus shprehu mirënjohjen ndaj vendeve të BRICS dhe vendeve arabe për përpjekjet e tyre për paqe, si dhe ndaj aleatëve Korea e Veriut dhe Bjellorusia.

Këto deklarata, Putini i bëri në fjalimin vjetor në Klubin e Diskutimit Valdai në Soçi, një forum që mbledh ekspertët dhe politikëbërësit e Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë