Gazeta Si – Marina Franceze ka hipur në një cisternë nafte që dyshohet se përdoret nga Rusia për të anashkaluar sanksionet mbi tregtinë e jashtme. Dy anëtarë të ekuipazhit janë arrestuar.
Prokurori i Brestit njoftoi se kontrolli i cisternës, u bë për shkak të “mungesës së dokumentimit të kombësisë së anijes” dhe “refuzimit për t’iu bindur urdhrave të autoriteteve”.
Anija, e njohur si Pushpa dhe Boracay dhe që mbante flamurin e Beninit, ishte nisur nga Rusia dhe duhej të mbërrinte në Indi brenda tre javësh.
Ajo u ndalua në brigjet e Bretanjës, në Francën veriperëndimore. Autoritetet franceze dyshojnë se ajo i përket të ashtuquajturës “flotë fantazmë” të përdorur nga Rusia për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe për të vazhduar eksportimin e naftës jashtë vendit.
Gazetat franceze spekulojnë gjithashtu se anija është përdorur për të lëshuar dronë që kishin shkelur hapësirën ajrore daneze në ditët e fundit.
Të dhënat e navigimit të anijes tregojnë se ajo kishte qenë pranë brigjeve të Danimarkës nga 22 deri më 25 shtator: dronët kishin shkelur hapësirën ajrore daneze natën e 22 deri më 23 shtator.
Nuk është bërë asnjë lidhje zyrtare midis anijes dhe lëshimit të dronëve. Presidenti francez Emmanuel Macron, duke folur me gazetarët gjatë takimit të liderëve evropianë në Kopenhagë – ku u diskutua mbrojtja kundër një sulmi të mundshëm rus me dron – tha se ekuipazhi i anijes kishte kryer “krime shumë të rënda”, por nuk specifikoi se cilat ishin ato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



